Skandal i ri përgjimi në Maqedoni

S’kanë të ndaluar skandalet në Maqedoni. Pas arratisjes së paradokohshme të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në Hungari, që nuk është sqaruar ende, skandali më i ri është ai të cilin e zbardhi vetë prokurori publik Ljubomir Joveski – se në dy vitet e fundit janë ndjekur dhe incizuar telefonat fiks të të gjithë prokurorëve, për çka menjëherë është ngritur procedurë hetimore paraprake, shkruan Meta.

Para tre vitesh kryeministrit aktual, asokohe lider i opozitës, Zoran Zaev, filloi transmetimin e të ashtuquajturave “Bomba”, gjegjësisht një sërë bisedash të përgjuara të përfaqësuesve më të lartë të qeverisë së atëhershme të kryesuar nga Gruevski – tani një i arratisur nga drejtësia dhe azilant politik në Hungari.

Për të ndjekur krimet që rezultojnë nga bisedat e përgjuara në Maqedoni u formua Prokurori publike speciale, e cila nisi një sërë procesesh gjyqësore, në të cilat u akuzuan numër i madh i ish zyrtarëve. Konsiderohet se kjo kontribuoi edhe për rënien e pushtetit të Gruevskit.

Pajisja që ishte përdorur atëherë është shkatërruar (PPS-ja pohon se është bërë në mënyrë të paligjshme), ndërsa ndërkohë u formua një agjenci e re e quajtur Agjencia operative-teknike (AOT), e cila duhet të mbikëqyrë nëse dikush përgjon në mënyrë të paligjshme.

Mediat shkruanin se në Maqedoni ka disa pajisje të sofistikuara për përgjim, duke theksuar në mënyrë diskrete se ka mundësi që këto pajisje t’i posedojnë dhe përdorin partitë e mëdha politike.

Aktualisht nuk është qartë nëse, në rastin e fundit, centrali ka pasur mundësi vetëm për të incizuar telefonat fiks të prokurorëve, nëse dikush i ka kopjuar dhe i ka përdorur ato dhe nëse bisedat janë përdorur për shantazh ose detyrim.

Zaev dhe Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski premtonin hetim të plotë, por duket se dëmi është bërë – publiku tashmë vështirë i gëlltitë deklaratat e llojit “askush nuk e përgjon askënd më”, dhe ngritjen e supeve për arratisjen skandaloze përmes tre shteteve dhe katër kufijtë të Gruevskit, për çka, gjithashtu, po zhvillohet hetim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button