Sërish zgjedhje në Maqedoni, këtë herë presidenciale

Në Republikën e Maqedonisë në prill të këtij viti, do të mbahen zgjedhjet e gjashta presidenciale. Zgjedhjet presidenciale, siç parasheh Kushtetuta, duhet të shpallen 60 ditë para skadimit të mandatit të kreut aktual të shtetit. Mandati i dytë pesëvjeçar i presidentit aktual Gjorge Ivanov skadon më 12 maj, shkruan Meta.

Edhe pse deri tani asnjë parti politike s’ka dalë me kandidat për president të Republikës, disa politikanë po shfaqin interes për t’u përfshirë në garën për “baba të shtetit”, duke u paraqitur shpesh në publik dhe në media.

Kryeministri Zoran Zaev në deklaratën e fundit theksoi se në lojë janë një duzinë emrash, si kandidatë për zgjedhjet presidenciale nga partia e tij LSDM, dhe paralajmëroi se organet më të larta partiake këtë fundjavë do të diskutojnë dhe do ta përmbyllin këtë çështje.

Deri më tani si kandidatë të mundshëm të LSDM-së, në publik, përmenden kandidati i fundit për president Stevo Pendarovski, ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministri Oliver Spasovski.

Partneri qeveritar, partia BDI, mbetet në qëndrimin se Maqedonia ka nevojë për kandidat konsensual për president, i cili do të jetë i pranueshëm për të gjithë qytetarët e çdo etnie, me interesa strategjike identike me shumicën e qytetarëve të Maqedonisë. Nga kjo parti kanë thënë se kandidat i tillë është profesori Denko Malevski, i cili është i pranueshëm edhe për LSDM-në.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE, ka publikuar thirrje publike për aplikime të kandidaturave për president të shtetit, që do të jetë e hapur deri më 31 janar. Kandidati presidencial do ta zgjedhet nga 550 delegatë në Konventën e VMRO-DPMNE-së me votim të fshehtë. Kandidati i cili do të merr më së shumti vota nga të gjithë kandidatët, por jo më pak se 1/3 e numrit të përgjithshëm të delegatëve, do të konsiderohet i zgjedhur.

Deputeti nga VMRO-DPMNE, Vllatko Gjorçev i pari publikoi se kandidohet në thirrjen e partisë së tij, për zgjedhje të kandidatit për president të shtetit. Si kandidatë të mundshëm të VMRO-DPMNE-së, përveç Gjorçevit, përmenden edhe disa ish-deputetë dhe ish-ministra të kësaj partie.

Mandati presidencial zgjat pesë vjet. Për President të Republikës, i njëjti person mund të zgjidhet më së shumti dy herë.

Presidenti duhet të jetë nënshtetas i Republikës së Maqedonisë, gjatë zgjedhjeve të jetë të paktën 40 vjeç. Kushtetuta përcakton se kandidat për President të Republikës të mund të propozojnë të paktën 10.000 votues ose të paktën 30 deputetë.

Fushata zgjedhore e kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button