Me shuarjen e Prokurorisë Speciale, në Maqedoni do të shuhet edhe shpresa për shtet ligjor

Gjykata Supreme e Maqedonisë, si instanca më e lartë gjyqësore në vend, me mendimin e fundit juridik kontrovers me sa duket i ka shuar të gjitha shkënditë e shpresës se udhëheqësit e regjimit të ish-kryeministrit të arratisur Nikolla Gruevski do të përballen me drejtësinë. Pas këtij vendimi mijëra njerëz të cilët brohorisnin “s’ka drejtësi – s’ka paqe” duke marshuar në “Revolucionin e Larmishëm” për mbështetje të Prokurorisë Publike Speciale (PPS) e kanë të qartë se paqja dhe drejtësia këtu jetojnë në adresa të ndryshme, shkruan Meta.

Në bazë të nismës nga dy ish-avokatë, të të arratisurit Gruevski, Elenko Millanov dhe Boro Tasevski, Gjykata Supreme e Maqedonisë miratoi opinion ligjor në të cilin thuhet se Prokuroria publike speciale e kryesuar nga Katica Janeva s’ka kurrfarë kompetenca pas kalimit të 18 muajve nga fillimi i punës së kësaj prokurorie.

Afati prej 18 muajsh ka skaduar në mesin e vitit 2017. Me këtë opinion ligjor, ndonëse nuk është obligativ, kontestohet ligjshmëria e të gjitha hetimeve të ndërmarra dhe aktakuzave të parashtruara nga PPS-ja prej asaj date e tutje. Këtu përfshihen lëndë të cilat krahas Nikolla Gruevskit i përfshijnë edhe: kushëririn e Gruevskit dhe ish-shefin e policisë sekrete Sasho Mijallkov, liderin e BDI-së Ali Ahmeti, zëvendëskryeministrin përgjegjës për Integrime Evropiane dhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani, biznesmenin Orce Kamçev dhe pothuajse komplet udhëheqësinë e mëparshme, të opozitës së tashme VMRO-DPMNE. Me këtë opinion ligjor, lëkundet edhe aktakuza në lëndën “Talir”, për financim të paligjshëm të partisë konservatore VMRO-DPMNE dhe ndërtimin e selisë së tyre impozante në qendër të Shkupit.

Reagimet e  publikut dhe deklaratat e aktorëve kryesorë sugjerojnë se PPS-ja këto lëndë do t’ia dorëzojë Prokurorisë së përgjithshme dhe Prokurorit publik republikan Ljubomir Joveski. Me këtë, Prokuroria publike speciale – simbol i luftës për sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor, si dhe i luftës kundër regjimit represiv autoritar, institucioni që kishte mundësi të mburret për besim në mesin e qytetarëve, që është më i lartë se besimi i çdo politikani apo partie politike në historinë e Maqedonisë së pavarur – do të pushojë së ekzistuari.

Pyetjet kryesore që parashtrohen janë: Kush në fakt ka nevojë që PPS-ja të ekzistojë? Cili pushtet ekzekutiv dëshiron Prokurori speciale, të formuar enkas dhe me autorizime të mëdha? Kush ka propozuar e kush ka pranuar që afati për parashtrim të aktakuzave nga PPS-ja të jetë vetëm 18 muaj?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve pjesërisht mund të gjenden në intervistën e ndërmjetësit, për dalje nga kriza politike në Maqedoni në vitin 2016, Peter Vanhojte, për “Vërtetmates”

Në intervistë ai thekson se propozimi fillestar i ekspertëve, të cilët kanë punuar në Ligjin për formimin e PPS-së, ka qenë që afati për parashtrim të aktakuzave të jetë 5 vite, me mundësi për t’u vazhduar. Pas negociatave të gjata, ekipi i kryeministrit aktual, Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokratike, sipas Vanhojte, ka propozuar ky afat të jetë dy vite, ndërsa Gruevski dhe VMRO-DPMNE kishin propozuar që afati të jetë vetëm 18 muaj.

“Pas disa diskutimeve mes Gruevskit dhe Zaevit, pavarësisht vërejtjeve të mia ashpra se afati është tepër i shkurtër, ata ranë dakord. Në fakt, nuk kishte negociata mes tyre për këtë çështje. Gruevski tha 18 muaj, Zaev pranoi – ka shpjeguar Vanhojte.

Në fund të intervistës, eksperti holandez thekson se “për sa kohë që liderët e partive politike nuk e pranojnë sistemin e përgjegjësisë, që është vendimtar për një vend demokratik” Maqedonia nuk e ka vendin në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button