Një zgjidhje parkingu në Komunën e Çairit

Fillimisht duhet të falenderoj autoritetet, konkretisht Komunën e Çairit, e cila ditëve të fundit në territorin e saj ka ndikuar-inicuar në aktivizimin e karrotrecit apo “merimangave” për heqjen e automjeteve të parkuara në hapësira të palejuara. Me këtë, autoritetet tërthorazi j’u përgjigjën me punë konkrete një prej shqetësimeve të parashturara në një shkrim timin të kohëve të fundit, me titull “Trafiku vrasës në komunën Cair”, ku ndër të tjerash theksova utopizmin – mosegzistencën e ‘merimangave’ për eliminimin e parkimeve të gabuara. Por bashkë me shqetësimin tim, autoritetet përkatëse në rastin konkret, j’u janë përgjigjur edhe shqetësimeve të gjithë banorëve në këtë komunë. Gjithashtu takimi i zëvendës Ministrit të Punëve të Brendshme Agim Nuhiu me kreun e Komunës Visar Ganiu, për gjendjen e sigurisë së trafikut, ishte në kontekst të një prej shqetësimeve të parashtruara në shkrim. Pavarësisht se në këtë aspekt akoma nuk ka ndonjë efekt përmirësimi të sigurisë dhe kontrollit të policisë rrugore, megjithatë kemi shpresa dhe jemi në pritje të zgjidhjes edhe të këtij problemi.

Këto ditë jemi dëshmitarë se “merimangat” kanë ngritur një numër të madh makinash të parkuara në hapësirat e gjelbra – brenda parqeve, në shume lagje të kësaj komune, veçanërisht në “Fushë topanë”. Kjo dëshmon së komuna është vigjilente ndaj shqetësimit qytetar, dhe si e tillë kërkon të bëjë më të mirën e mundshme. Në këtë kontekst, ashtu siç bëhen kritikat, ashtu duhet të jepet edhe vlerësimi pozitiv, duke motivuar autoritetet të vazhdojnë me punët e mira dhe të nevojshme. Por shikuar nga problematika e mbipopullimit, “merimangat” në shumicë kanë ngritur automjete vetëm nga hapësirat e gjelbra- brenda parkut, e jo nga trotuaret, qofshin ato edhe troturet e reja të sapondërtuara, sepse ata janë  të  vetëdjshëm se banorët skanë zgjidhje tjetër parkimi.

Prandaj, të paktën lind nevoja e një zgjidhje afatshkurtër, që të mos vazhdojnë parkimet në hapësira të gjelbra pranë ndërtesave dhe që autoritetet të mos detyrohen përsëri të ngrenë me karrotrec të njëjtat automjete, me kosto financiare dhe revoltuese nga banorët, por edhe shqetësim për vëtë autoritetet në konflikt me banorët. Në pritje edhe te parkingjeve me kate (garazheve me kate) të cilat do ishin katastrofë ekologjike dhe estetike, të ndërtohen në ndonjë prej hapësirave ekzistuese të parqeve të gjelbëruar, një zgjidhje e mundshme dhe me shumë pak kosto, veçanërisht në territorin e banesave të urbanizuara me parqe të konsiderueshme, aty ku ka mundësi të ngushtohen parqet në gjithë vijën ku mund të futen automjete për të pasur akses me rrugën, në pika ku nuk rrezikohet trafiku. Ndërsa atje ku është rrezik kjo mënyrë parkingu, rruga e parkingut të bëhet me hyrje nga brenda parkut, në një dalje – hyrje të sigurtë, vetëm në lentën e paraparë, duke mos ngushtuar panevojshëm nga hapësira e gjelbër, sado e gjerë qoftë ajo.  Kështu krijohen dy lenta, e para, për lëvizjen e lirë të këmbësorëve, dhe e dyta, ngjitur me atë të këmbësorëve, sistematizohet për parkingje automomjetesh, në mundësi parkimi “me kokë – vertikalisht”. Me këtë zgjidhje njëkohësisht evitohet kaosi i shkeljeve të vazhdueshme të hapësirave të gjelbra, gjithashtu krijohet një numër i madh i vendparkimeve. Çfarë është më e vlefshme, hapësira e këmbësorëve do ishte çdoherë e lirë për lëvizje, pasi parkingjet do ishin në pjesën e brendshme, e askush s’do kishte mundësi të parkojë në mes të trotuarit.

Shembull 1:

Fotografi e siguruar nga autori

Përpos garazheve me kate që ka paraparë kryetari i Komunes Çair në programin e vetë zgjedhor, me mënyrën e parkimit të lentave të sipërshënuara, zgjidhet pak a shumë një problem i madh i kësaj komune të mbipopulluar. Duke theksuar gjithashtu se ndërtimi i garazheve me kate është kosto e lartë financiare, si për komunën ashtu edhe për banuesit të cilët duhet të paguajnë kompensime mujore, apo tju shkatërrohet i gjithë parku për ndërtim garazhi me kate, gjë e cila do ishte katastrofale në të gjitha aspektet.

Kjo zgjidhje e lirimit të lentës së këmbësorëve eviton edhe problematikën e shumtë të aksidenteve, pasi vozitësit e automjeteve ashtu edhe këmbësorët, do kishin fushëpamje më të qartë për kalimin e rrugës, pasi korsia e këmbësorëve mbetet e lirë, veçanërisht kalimi i fëmijëve të shumtë në këtë territor komune, pasi gjatësia trupore e femijëve mbulohet nga automjetet e parkuara dhe dalja e beftë në rrugë shkakton aksidente të shumta me pasoja fatale.

Komuna e Çairit, veçanërisht në lagjet e urbanizuara, ka hapësira të gjelbra të mjaftueshme, por paradoksi i këtij

Fotografi e siguruar nga autori

urbanizimi është se ska vendparkime të mjaftueshme e as trotuara të lira për këmbësorë, pasi dita-ditës numri i automjeteve që kërkojnë vendparkim, shtohet. Ndërsa ngushtimi i parqeve atju ku ka nevojë, me maksimum tre metra gjërësi,  nuk do ishte një e keqe e madhe ndaj hapësirave të blerta, krahasuar me të mirën e domosdoshme. Shtuar atë se kjo komunë është ndër komunat me hapësira më të mëdha gjelbërimi në gjithë territorin e Shkupit, gjë e cila jep mundësinë të veprohet me shumë pak kosto në reduktimin e saj të gjelbërt, për një arsye  madhore të mirëqenies së vetë banorëve.

Komuna është mirë që ta shqyrtojë këtë mundësi dhe njekohësisht tju prezantojë banorëve idenë (për konsultim), që jam i bindur se në këto rrethana do ishte një ide e mirëseardhur, pasi evitohen shumë probleme, si për autoritetet, nga shqetësimi i ngritjes së automobileve me karrotrec, por edhe konflikti me banorët. Edhe për qytetarët është shpëtim në zgjidhjen e problemit të vendparkimit; kalimit në lentet e këmbësorëve, ashtu edhe siguria e lëvizjes në trafik, duke mos u detyruar të lëvizin në mes të rrugëve, apo humbin fushëpamjen e lëvizjes. Për të qenë korrekt, autoritetet komunale në disa pjesë, pjesërisht e kanë aplikuar këtë mënyrë parkimi, si ne shembullin 2, por jo në parqet me hapësirat më të mëdha, por anash disa rrugicave kalimi,  duke e zënë krejt hapësirën e gjelbër, gjë e cila nuk është e mirëseardhur, si për të mirën ekologjike ashtu edhe për estetikën. Duhet lënë minimalisht një vijë e gjelbëruar në fund të vendparkimit, tek e cila mund të mbillen bar dhe pemë dekorative. Edhe pse jam i mendimit se kjo mënyë e krijimit të vendparkimeve, është më mirë të aplikohet atje ku parqet janë të bollshme dhe ka hapësirë për veprim.

Shembulli 2:

Fotografi e siguruar nga autori

Kjo mund të jetë edhe një zgjidhje afagjate e problemit, pasi parkingjet me kate në komunën Çair, nuk do të mund asesi të zgjidhin në tërësi problemin, pa pasur kosto të mëdha ekologjike, financiare dhe urbanistike, sepse do duhet të zihej i gjithë parku për të ndërtuar parkingun me kate – garazhin. Plus që kjo praktikisht nuk është e mundshme të bëhet në çdo lagje, edhe nëse s’do mereshin parasysh kostot. Prandaj nëse aplikohet ideja me “dy lentat”, atëherë pengohet automatikisht edhe shkatërrimi i parqeve nga ndërtimet e reja të mundshme, të cilat shpeshherë bëhen kurban i ndërtimeve.

Kam besimin që autoritet komunale do ta shqyrtojnë këtë ide. Kur qytetarët bashkëpunojnë me komunën dhe e shohin atë si zgjidhje të problemeve, edhe kur komuna i sheh qytetarët si bashkëpunëtor dhe përkrahës në ndërtimin e projekteve për mirëqenien e përbashkët, rezultati pozitiv asnjëherë sdo mungojë. Këtë metodologji bashkëpunimi – konsultimi e aplikojnë të gjithë qytetët/komunat e zhvilluara në botë. Ne mund të bëhemi një prej tyre, minimalisht duke ndjekur modelin e transfrormimit të komunave – bashkive të rrethanave te ngjashme, si për shembull në qytetin – bashkinë e Tiranës, për të mos thënë që tek ne, kushtet insfrastrukturore janë shumë më të favorshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button