Rusia do të bisedojë me Holandën për rrëzimin e avionit të pasagjerëve

Moska tha se është e gatshme të angazhohet në bisedime me Holandën në lidhje me rrëzimin e një aeroplani të Malajzisë në një territor të kontrolluar nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, në vitin 2014, transmeton REL.

“Dialogu ynë nuk është ndalur, përfshirë atë në nivel politik. Ne jemi të gatshëm për bisedime”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

Ai i bëri komentet një ditë pasi Holanda ka thënë se “është gjithnjë e më e sigurt” se Rusia do të pajtohet për bisedime formale në lidhje me gjetjet e një hetimi ndërkombëtar, se Moska mban përgjegjësi ligjore për rolin e saj në rrëzimin e aeroplanit të pasagjerëve.

Ministria e Jashtme e Holandës ka thënë më 7 shkurt se kontaktet e para diplomatike me Rusinë janë zhvilluar në një “atmosferë pozitive” dhe se shpreson se diskutimet do të çojnë në bisedime formale për këtë çështje.

Nuk është e ditur se ku dhe kur mund të mbahen bisedimet formale.

Një hetim ndërkombëtar, i udhëhequr nga Holanda, ka konstatuar se një raketë Buk që e ka rrëzuar aeroplanin e kompanisë Malaysia Airlines, ka ardhur nga Brigada e 53-të e raketave të Rusisë.

Aeroplani është rrëzuar në zonën e konfliktit në rajonin Donjeck të Ukrainës më 17 korrik, 2014, duke shkaktuar vdekjen e të 298 njerëzve në bord.

Rreth dy të tretat e viktimave kanë qenë shtetas holandezë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button