Çavuşoglu: Gjetjet e OKB-së për vrasjen e Khashoggit përputhen me gjetjet tona

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, e cilësoi si të rëndësishëm faktin që gjetjet e raportueses speciale të OKB-së Agnes Callamard në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi përputhen me ato që ka gjetur vendi i tij në lidhje me këtë vrasje, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e shefit të diplomacisë turke erdhën pasi Agnes Callamard, Raportuesja Speciale e OKB-së për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, e cila së fundmi vizitoi Turqinë për hetimin e rastit Khashoggi nën kryesimin e OKB-së, shpalosi një raport në lidhje me vrasjen, përgjegjësinë mbi të cilën e hodhi mbi Arabinë Saudite.

Në raportin e saj, Callmard tha se “provat e mbledhura në Turqi gjatë detyrës sime, tregojnë se Khashoggi është viktimizuar në një vrasje mizore dhe të paramenduar nga zyrtarët e shtetit të Arabisë Saudite”.

Çavuşoğlu kërkoi që OKB të formojë një komision për zbardhjen e rastit ose të niset një hetim në kuadër të kësaj organizate.

Ndryshe, Khashoggi, kontribues i gazetës “The Washington Post”, u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.

Turqia ka kërkuar ekstradimin e shtetasve sauditë të përfshirë në vrasje, si dhe një llogaridhënie më të plotë nga ana e Rijadit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button