Kosovë, qytetarët protestuan pas njoftimeve për abuzimin e një të miture

Qindra veta protestuan të premten në qytetin e Drenasit, rreth 50 kilometra nga Prishtina, ndërsa parlamenti i Kosovës u mblodh ne seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar drejtësi për një vajzë nga Drenasi, e cila ka raportuar për abuzim të dyfishtë seksual, nga një mësimdhënës në shkollë dhe pastaj nga një oficer policie tek i cili kishte raportuar abuzimin nga mësimdhënësi.

Sipas raporteve të para, vajza ishte vetëm 16 vjeçe kur ishte abuzuar seksualisht për herë të parë nga mësimdhënësi i saj, e më pas, sipas pohimeve, i është nënshtruar përdhunimit sistematik edhe nga hetuesi policor i cili e kishte marrë përsipër hetimin e rastit, njofton Zëri i Amerikës.

Sipas dëshmisë së të miturës, e cila foli për gazetën në internet Insajder, ajo kishte ngelur shtatzënë dhe në janar të këtij viti ishte detyruar nga zyrtari policor që të kryente abort në një spital privat në Prishtinë.

Mësimdhënësi, oficeri i policisë dhe mjeku që kishte kryer abortin, janë arrestuar.

Rasti ka ngjallur reagime të ashpra në shkallë të gjerë dhe protesta përvec Drenasit janë mbajtur edhe në Prishtinë me kërkesën për drejtësi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, tha përmes një postimi në rrjetet sociale se “është i impresionuar që sheh kaq shumë qytetarë të Kosovës që mblidhen së bashku, për të kërkuar fundin e dhunës ndaj grave. Protestat paqësore dhe përgjegjësia publike janë elemente thelbësore për çdo demokraci. Ashtu është edhe barazia gjinore”, shkroi ai.

Deputetët e parlamentit thanë se ngjarja është dëshmi e dështimit të të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë dy vjetëve të fundit në Kosovë janë shënuar 123 raste të ngacmimeve, keqtrajtimeve apo abuzimeve me fëmijë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button