Interpretimi autentik nuk mund ta heqë “ndalesën” e Supremes për lëndët e PSP-së ku akuzohen funksionarët e BDI dhe VMRO

Interpretimi autentik i nenit 22 të Ligjit për Prokurori Speciale Publike (PSP) nuk do të mundet ta zgjidh problemin e krijuar me bllokadën e Gjykatës Supreme për lëndët e Prokurorisë Speciale, në të cilat akuzohen funksionarët e lartë të BDI-së dhe VMRO-së, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse Prokuroria Themelore Publike do të dorëzojë kërkesë deri te Kuvendi i Maqedonisë të kryejë interpretim autentik, gjegjësisht sqarim të nenit 22 të Ligjit për PSP i cili e kufizon periudhën kohore për hapjen e procedurave hetimore dhe ngritjen e akuzave në afat kohor prej 18 muajve, ky akt nuk do të ndikojë që Gjykata Supreme të heqë vendimin për ndalimin e hetimeve të PSP-së pas kësaj periudhe, njofton Portalb.mk.

“Ai interpretim dhe sqarim që do ta japë Kuvendi, nuk mund ta shfuqizojë vendimin e Gjykatës Supreme, edhe pse i njëjti është tërësisht joligjor”, thotë Ziberi.

Naser Ziberi
Naser Ziberi

Sipas tij, atë vendim mund ta shfuqizojë vetëm organi të cilin e ka marrë në këtë rast, Gjykata Supreme.

“Edhe nëse në interpretimin që do ta japë Kuvendi supozojmë se do të thuhej se “Prokuroria Speciale mund të hapë hetime dhe të ngrit aktakuza edhe pas kalimit të afatit 18 mujor”, kur këto lëndë do të mbërrijnë në Gjykatën Supreme, respektivisht trupat gjykues të tyre do të jenë të detyruar që ta respektojnë vendimin që vetë e kanë marrë në Kolegjiumin e Përgjithshëm të Gjykatës Supreme. Kjo do të jetë situatë e komplikuar e cila vështirë se do të mund të zgjidhet pa një vendim të sërishëm të vetë organit i cili duhet ta shfuqizojë vendimin paraprak”, shtoi Ziberi në një bisedë për Portalb.mk.

Ndonëse ekziston dhe një mundësi për të dalë nga kjo situatë, gjegjësisht duke e ndryshuar Ligjin për Prokurori Speciale, megjithatë e njëjta, sipas Ziberit “është shumë e vështirë, për arsye se nuk mundet të sigurohen dy të tretat e votave, pasi që në ato dy të treta do të ketë edhe deputetë që në mënyrë të drejtpërdrejtë janë të përfshirë në lëndët e Prokurorisë Speciale”.

Procedura për interpretim autentik të ligjeve në Kuvend

Sipas Rregullores së Kuvendit, kërkesa për dhënien e interpretimit autentik të ligjit i paraqitet kryetarit të Kuvendit dhe përmban emërtimin e ligjit, dispozitat në të cilat kërkohet interpretimi dhe arsyet për atë. Të njëjtën kryetari i Kuvendit ia kalon Komisionit Juridiko-Ligjvënës dhe Qeverisë. Për kërkesën e interpretimit autentik të ligjit, Komisioni Juridiko- Ligjvënës  mund të kërkojë mendim nga trupi punues amë i Kuvendit.

Kuvendi i Maqedonisë

Komisioni Juridiko-Ligjvënës pasi t’i marrë mendimet e Qeverisë dhe trupit punues amë, vlerëson nëse kërkesa për dhënien e interpretimit autentik është e arsyeshme. Nëse Komisioni Juridiko-Ligjvënës vlerëson se kërkesa për dhënien e interpretimit autentik  është e arsyeshme, harton propozim për interpretim autentik dhe ia paraqet Kuvendit.

Për propozimin për interpretim autentik të ligjit dhe eventualisht për amendamentet e paraqitura, Kuvendi diskuton dhe vendos në seancën e njëjtë. Propozimi për interpretim autentik, aprovohet me shumicën e njëjtë me të cilën miratohet ligji, të cilit i bëhet interpretimi autentik. Interpretimi autentik shpallet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.

Nëse Komisioni Juridiko-Ligjvënës vlerëson se kërkesa për dhënien e interpretimit autentik nuk është e arsyeshme, do t’i paraqesë raport Kuvendit i cili vendos për kërkesën. Për vendimin e Kuvendit njoftohet parashtruesi i kërkesës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike të enjten kërkoi interpretim autentik nga Kuvendi i Maqedonisë për nenin 22 të Ligjit për Prokurori Speciale, pasi që Gjykata Themelore u kërkoi që të deklarohen për kompetencat në disa lëndë të Prokurorisë Speciale.  Më 30 janar, me shumicë votash  gjykatësit suprem ka miratuar vendim se hetimet e PSP-ë, të cilat i ka hapur pas 30 qershorit të vitit 2017-të, nuk munden të vazhdojnë më tej. Hidhen poshtë hetimet për regjistrimin e popullsisë kundër liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe të arratisurit ish kryeministrit Nikolla Gruevski, hetimi “I fuqishmi” kundër deputetit Antonio Milloshoski, “Pacienti” kundër zv/kryeministrit Bujar Osmani, “Dizajni” për autobusët kinezë dhe të tjera.

Prokurorisë Speciale i janë marrë edhe hetimet “Perandoria”, “Talir” dhe “Banka e Postës” dhe i kthehen Prokurorisë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, prej ku paraprakisht janë marrë. Në fakt, të gjitha hetimet e marra nga Prokuroria e rregullt janë kthyer nga Katica Janeva te shefja e Prokurorisë Themelore PublikeVilma Ruskoska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button