Gazetari nga Shqipëria ndalohet për të hyrë në Greqi, i rrezikshëm për sigurinë

Gazetari Marin Mema është shpallur i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye pengohet që të hyjë në territorin grek.

Ky vendim i është komunikuar gazetarit të Top Channel mesditën e së dielës ndërsa po kryente procedurat për të hyrë në shtetin grek në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës. Nga policia greke është informuar se i ndalohet hyrja në shtetin grek sepse cilësohet se përbën rrezik për sigurinë kombëtare në këtë vend.

Vendimi dhe ndalimi i gazetarit të njohur të Top Channel lidhet me disa tema të realizuara prej tij në rubrikën “Shqipëria Tjetër” kushtuar çështjes kombëtare shqiptare, tema që lidhen me trashëgiminë e çamëve në Greqi në fshatin Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. Por edhe emisioni kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek.

Një veprim të ngjashëm shteti grek ndërmori edhe ndaj gjyqtarëve që dhanë vendimin për penalizimin e shtetasit Naum Disho, drejtues i degës lokale të Omonias në Korçe i akuzuar për dhunimin e varreve në fshatin Boboshticë. Lidhur me këtë vendim kanë reaguar Aleanca Kuqezi dhe PDIU, duke kërkuar reagimin e Qeverisë shqiptare. /T.CH

Lajme të ngjashme

Back to top button