Dëmshpërblimi për rastin “Sopoti”, avokati Paçuku: I kemi të gjitha dëshmitë për çdo ditë të vuajtur nëpër burgje

“Të dëmtuarit e rastit Sopoti do të dëmshpërblehen në mënyrë të drejtë, pasi që i kemi të gjitha dëshmitë për kohëzgjatjen e kaluar në vuajtje të dënimit”, thotë për Portalb.mk, avokati mbrojtjes, Vullnet Paçuku pas vendimit të mbrëmshëm të Qeverisë i cili e autorizon Avokatin e Shtetit që të lidhet marrëveshje gjyqësore me palën e dëmtuar që çdo i dëmtuar të dëmshpërblehet me nga 5.500 denarë për çdo ditë vuajtje paraburgimi, paraburgim shtëpiak dhe dënim me burg, njofton Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë mbrëmë e ka shqyrtuar dhe miratuar informatën për lëndën gjyqësore “Sopoti” dhe mundësinë për arritje të marrëveshjes për pagesën e dëmshpërblimit për shkak të gjykimit jo të drejtë dhe të njëjtin e ka dorëzuar te Avokati Shtetëror.

“Qeveria është pajtuar dhe e ka obliguar Avokatin e Shtetit të Republikës së Maqedonisë që të lidh marrëveshje gjyqësore përpara Gjykatës Themelore Shkupi 2 për këtë rast, pas padisë së paditësve, të gjithë personave nga fshati Sopot i Kumanovës, t’u paguhet kompensim të dëmit për shkak të gjykimit jo të drejtë. Për çdo ditë të kaluar në paraburgim, paraburgim shtëpiak ose në burg të njëjtëve t’u ndahen nga 5.500 denarë dhe t’i kompensojë harxhimet e procedurës së paditësve në vlerën e caktuar nga ana e Gjykatës. Qeveria gjithashtu, e ka autorizuar Avokatin Shtetëror për Zonën e Shkupit, Zoran Petkovski që të nënshkruajë marrëveshje gjyqësore për këtë rast në Gjykatën Themelore Shkupi 2”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Vullnet Paçuku
Vullnet Paçuku

Në lidhje me informatat nëpër media se Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve nuk ka pasur të dhëna të sakta për atë se sa ditë personat kanë vuajtur dënim, avokati mbrojtës Paçuku për Portalb.mk, thotë se ata i kanë të gjitha dëshmitë dhe se dëmshpërblimi do të jetë i drejtë.

“Gjithsej janë 6 persona dhe të njëjtët nuk janë njësoj të dëmtuar. Varësisht kush sa ditë ka vuajtur dënim, aq do t’i ndahen para. E vërtetë është që Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve nuk ka pasur informacion të saktë për ditët që kanë qenë në paraburgim dhe në burg, mirëpo në njëfarë mënyre Drejtoria edhe s’mund t’i ketë të sakta të gjitha ditët sepse nuk ka evidencë për ditët që këta kanë qenë në paraburgim shtëpiak. Do të dëmshpërblehen në mënyrë të drejtë për çdo ditë të vuajtur, pasi që ne i kemi të gjitha dëshmitë dhe vendimet se sa kohë kanë qenë në vuajtje të dënimit dhe këto do të merren parasysh”, thotë Paçuku.

I pyetur nëse janë të pajtimit me marrëveshjen e arritur, avokati i mbrojtjes thotë se “përjetimet e këqija nuk munden të kompensohen me para, por duke e pasur parasysh standardin në Maqedoni janë pajtuar me këtë marrëveshje”.

Në dëmshpërblim përfshihen ish të dënuarit për terrorizëm: Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Sulejman Sulejmani, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani dhe Zenel Klaiqi. Ndërkohë Isa KlaiqiAfrim Ukshini, Selman Jahiu dhe Bashkim Ukshini nuk janë të përfshirë në marrëveshjen e dëmshpërblimit për shkak se të njëjtit përfaqësohen nga avokat tjetër dhe të njëjtit ishin dënuar në arrati. Katër të dënuarit në mungesë nuk kanë inicuar padi ndaj shtetit për dëmshpërblim. Dëmshpërblimi nuk do t’i trashëgohet as familjes së Samet Limanit ish i dënuar në rastin Sopoti i cili gjithashtu ishte i dënuar  në arrati dhe ndërroi jetë para disa viteve. Pas miratimit të marrëveshjes për dëmshpërblim nga ana e Qeverisë, procedura gjyqësore në Gjykatën Civile ndërpritet. Padia e Sopotasve ndaj shtetit vjen pas mohimit të kërkesë së tyre nga Ministria e Drejtësisë për marrëveshje dëmshpërblimi në përputhje me Ligjin e procedurës penale.

Ndryshe, rasti “Sopoti” është nga viti 2003, kur dy ushtarë polakë dhe një shtetas i Maqedonisë humbën jetën, pasi që një automjet terreni i NATO-s shkeli në minë në rrugën rajonale Sushevë – Sopot.

Nga materialet e përgjuara të publikuara në vitin 2015 nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ose të ashtuquajturat “bomba”, dëgjohet si ish-ministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish-shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në korrik të vitit 2017 ia ka dorëzuar lëndën Prokurorisë Speciale, pasi që në opinion u publikuan bisedime të funksionarëve qeveritarë të ndërlidhur me këtë rast. 

Pas marrjes nën kompetenca, PSP dha dorëheqje nga aktakuza e rastit më 19 mars të vitit 2018. Prokurorja Katica Janeva asokohe tha se nuk ka dëshmi të mjaftueshme me të cilat mund të konfirmohet aktakuza për të akuzuarit konkret. Prokurori Burim Rustemi tha se dëshmia e vetme në të cilën bazohet aktgjykimi është dëshmia e Bajram Ramadanit, i cili dëshminë e ka dhënë me dhunë. Rustemi konfirmoi se vepra penale terrorizëm nuk mund të lidhet me të akuzuarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button