Shtëpia e Shëndetit të Shkupit: mjetet që na ndahen për Ndihmën e Shpejtë nuk mjaftojnë

Në një intervistë për Portalb.mk, drejtori medicinal dhe financiar i Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit kanë shprehur se mjetet e dedikuara nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor për një ekip të Ndihmës së Shpejtë janë të pamjaftueshme, dhe ndodh që 10 përqind e harxhimeve të mbulohen nga Shtëpia e Shëndetit – Shkupit. Ata planifikojnë të angazhojnë 40 mjekë të rinj, nga të cilat gjysma do të angazhohen në Ndihmën e Shpejtë. Vlerësojnë se me këtë dhe me marrje e 6 deri 12 veturave të reja do të zgjidhej një pjesë e problemeve të joefikasitetit dhe ekipit të pamjaftueshëm të shërbimit të Ndihmës së Shpejtë të Shkupit.

Portalb: Fondi për Sigurim Shëndetësor për një ekip të ndihmës së shpejtë ndan 177 mijë denarë. A mjafton kjo shumë për funksionim normal të një ekipe mjekësore?

Besim Koka: Në përgjithësi, shuma të cilën ne e marrim nga Fondi Shëndetësor nuk na mjafton që ne të funksionojmë me këto ekipe që kemi. Përveç shumës që e marrim nga fondi, dikur rreth 12-15 milionë denarë shtojmë nga pjesa tjetër e buxhetit për funksionimin e Ndihmës së Shpejtë.

Portalb: A ka qenë kjo arsye se pse erdhi deri te mbyllja e pesë pikave: Çento, në Gjorçe Petrov, në Draçevë, në Petrovec, në Çuçer Sandevë?

Besim Koka: Jo, pikat nuk funksionojnë për shkak se nuk kemi ekipe të Ndihmës së Shpejtë dhe nuk kemi autoambulanca, për këtë shkak nuk funksionon.

Portalb: A keni planifikuar punësim të mjekëve të rinj?

Zllate Mehmedoviq: Kemi siguruar mundësi që të punësojmë dyzet mjekë të rinj, për të cilat kemi dorëzuar kërkesë. Kjo do të thotë se 40 mjekët janë për tërë Shtëpinë e Shëndetit, dhe do të përdoren varësisht nevojave.

Besim Koka: 50 për qind e mjekëve që do të punësohen, janë mjekë që do të punësohen në Ndihmën e Shpejtë. Atëherë mund të mendojmë të rihapim ato pika.

Portalb: Edhe ekipet e reja nuk do ta përmbushin Dekretin e Qeverisë së Maqedonisë të miratuar në vitin 2016, ku thotë se Shkupi, i cili në dekret figuron me 700 mijë banorë, duhet të ketë 64 ekipe. Në realitet ekzistojnë 42 ekipe. Kur pritet të arrihet numri me 64 ekipe?

Zllate Mehmedoviq: Duhet ta dimë se sipas Dekretit, nga 64 ekipet, 10 prej tyre duhet të shkojnë në Qendrën e pranimit të thirrjeve. Shpresojmë që me punësimet e reja do të zgjidhim një pjesë të problemit, por nuk do t’i zgjidhim në tërësi. Ne nuk mund të përgjigjemi saktë për Dekretin që ju e përmendët, sepse Ndihma Shpejtë asnjëherë nuk ka pasur aq të punësuar siç qëndron në Dekret, gjithmonë kemi më pak nga ai Dekret.

Portalb: Kur ndihma e shpejtë do të jetë vërtetë e shpejtë?

Zllate Mehmedoviq: Ndihma e Shpejtë definitivisht është e shpejtë aty ku duhet të jetë. Janë dy mënyra me të cilat pranohen thirrjet: niveli i “urgjencës 1” dhe niveli i ”urgjencës 2”. Kur kemi thirrje në “urgjencën 1”, kemi rrezikim të jetës dhe shëndetit të pacientit, atëherë Ndihma e mjekësore e shpejtë për 15 minuta arrin në vendngjarje. Brenda atyre 15 minutave mund të ndodhin shumë gjëra. Shpesh ndodh që kemi marrë thirrje, dhe Ndihma e Shpejtë ka arritur për 15 minuta, por pacientin e kemi humbur. Kemi edhe thirrje “urgjencë 2”, të cilat janë me sëmundje dhe nuk ka urgjencë aq të madhe, atje Ndihma e Shpejtë arrin më së voni për 30 minuta. Por ka edhe thirrje për të cilat absolutisht nuk ka nevojë për ndihmë mjekësore të shpejtë, dhe aty mund që ndihma e shpejtë ta udhëzojë pacientin drejt linjës “Alo mjeku”.

Portalb: Ministria e Shëndetësisë ka blerë 12 autoambulanca. Gjashtë prej tyre do të ju dhurohen Shtëpisë që e udhëhiqni ju. A mjafton ky numër për të plotësuar nevojat e qytetit të Shkupit?

Zllate Mehmedoviq: Kur do t’i futim ato gjashtë vetura në shërbim, dhe veturat të cilat i kemi, një pjesë e të cilave janë në gjendje solide, mund të themi se do t’i plotësojmë nevojat për gjendjen momentale, përfshirë edhe mjekët dhe motrat të cilat do të punësohen në konkursin e fundit ku do të kemi diku 9 ekipe në një ndërrim.

Portalb: Mungesa e ekipeve nuk është problemi i vetëm i ndihmës së shpejtë. Problem gjithashtu janë edhe motrat medicinale që shpesh herë sulmohen në vendngjarje. Çfarë do të ndërmerrni në këtë drejtim?

Zllate Mehmedoviq: Po, ka raste kur ka eskalim të situatës, kur paraqiten edhe ofendime ndaj personelit, ndonjëherë edhe sulme fizike. Megjithatë punojmë bashkërisht edhe me Odën e Mjekëve dhe Ministrinë e Shëndetësisë për përpilim të ligjit të ri për veprimtarinë mjekësore.

Portalb: Motrat medicinale janë ankuar edhe për mungesë të klimave në autoambulanca. Pse vijnë këto mangësi në shërbim?

Zllate Mehmedoviq: Ne si menaxhment dëshmojmë se gjatë periudhës paraprake prej një vit e gjysmë, të gjitha që janë me defekte në sistemin për ngrohje-ftohje, rregullisht servisohen. Nuk ndodh që derisa ka problem me sistemin, autoambulanca të dërgohet në terren.

Duket se problem më i madh do të jetë mënyra e organizimit të Ndihmës së Shpejtë. Shërbimi është shpërndarë në tërë shtetin, në shume institucione, ndërkohë që reforma nuk shohim. Nuk shohim as ndryshime në praktikë. A do të ndërmerrni diçka përfundimisht, apo do të vazhdojë gjendja kaotike?

Zllate Mehmedoviq: Sistemi i funksionimit të Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni nuk është ndryshuar që 40 vjet, sipas vlerësimeve të mia. Sigurisht për 30 vjetët e fundit jam i sigurt se nuk ka ndryshime radikale, përveç disa ndryshimeve të vogla organizative që i pësoi shërbimi në vitin 2005 – 2010, ndryshimet nuk janë drastike që do të dërgojnë në ndryshimin e cilësisë së shërbimit. Duhet të mendojmë në drejtim të sistemeve që tashmë zbatohen në Bullgari, në Rumani, në Poloni, në Skoci ku tashmë janë bërë ndryshime serioze organizativ.

Portalb:  A do të paraqiste lehtësim për ju nëse menaxhimin e saj e merr ndonjë institucion tjetër?

Zllate Mehmedoviq: Nuk do të them se nëse shërbimi i Ndihmës së Shpejtë do të ishte në kompetencë të dikujt tjetër, do të ishte më mirë, sepse ne si Shtëpi e Shëndetit në Shkup kemi përvojë të gjatë për këtë shërbim në Maqedoni. I dimë problemet me të cilat e gjetëm shërbimin, dhe i dimë të gjitha mundësitë të cilat mund ti përdorim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button