Librat fyes për shqiptarët aktualisht nuk mund të korrigjohen, sipas ministrit “do të nxiten tensione etnike”

Ende nuk dihet se kur do të korrigjohet pjesa fyese për shqiptarët në librat e historisë dhe gjeografisë të gjimnazit të reformuar në Maqedoni. Me përdorimin e librave në fjalë, Portalb.mk shkroi se është duke u bërë shkelje e Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm. Por, sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi tani nuk është koha të bëhet korrigjimi.

Ademi duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk për atë se kur do të korrigjohen librat e historisë dhe gjeografisë në të cilat ka të pavërteta historike dhe po fyen shqiptarët, tha se nuk është koha të nxiten tensione etnike, sepse këto janë “plagë të vjetra.”

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi. Foto: Borçe Popovski, Kolektif.mk

“Unë them se tash nuk është koha dhe as që ka atmosferë të tillë që të nxisim tensione etnike. Këto janë tema të vjetra, edhe plagë të vjetra nga më parë, nga disa vite dhe këndej, se në atë libër shkruan ashtu, në këtë libër shkruan kështu”, tha ministri Ademi.

Ai nuk jep garanci se kjo do të bëhet gjatë revidimit të librave në Komitetitn e Përbashkët Maqedoni – Greqi – Bullgari, proces që tanimë zhvillohet.

“Duhet të zhvillohen disa procese me fqinjët tanë, kur do të kemi rezultat final atje, edhe këtu do të shqyrtohet kjo çështje dhe më pas do të veprohet me zgjidhjen më adekuate. Nuk mund ta parashikojmë rezultatin. Kur do të kemi rezultat final me fqinjët tanë, më pas ne do të shohim si do të veprojmë”, tha Ademi.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

Përndryshe, përmbajtja kontestuese e këtyre librave u vu në spikamë në kuadër të forumit të organizatave qytetare të Ballkanit “Krijimi i urave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor” që u mbajt në muajin tetor të vitit 2018.
Pas forumit, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev u pyet nga Portalb.mk se a do të kërkojë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës të tërhiqen librat.

“Nuk i di detajet. Do të flas me Ademin. Më detajisht do të ju përgjigjem, se a është ashtu siç thoni, dhe nëse është ashtu, do t’ju tregoj kur do të tërhiqet, si tërhiqet, dhe të ngjashme”, tha Zaev në muajin tetor të 2018-s duke theksuar se me buxhetin e vitit 2019-të janë paraparë mjete për korrigjim të disa librave shkollor. Megjithatë, mes tyre nuk janë librat fyese, por librat e muzikës.

Librat në përdorim që dhjetë vite!

Librat e lëndës së gjeografisë dhe historisë, të ribotuara në vitin 2009, kanë përmbajtje me prapavijë politike, ofenduese dhe shtrembërojnë historinë shtetërore dhe të entiteteve që jetojnë në Maqedoni.

U kërkua që të përpilohet planprogram i ri mësimor, por deri atëherë, librat duhet të largohen nga përdorimi. Libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë-për vitin II të gjimnazit të reformuar” ka shtatë momente kontestuese të historisë së Maqedonisë.

Faqja 99 thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.
Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.
Në faqen 104 ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.
Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.
Në faqen 84 dhe 85 në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.

Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.

Ligji parasheh heqjen nga përdorimi

Sipas ligjit të librave për arsim fillor dhe të mesëm, në nenin 14 thuhet se në rast se gabimet janë më shumë se 30 për qind, përpilohet planprogram i ri.
Neni 26 thotë se libri shkollor tërhiqet nga përdorimi nëse miratohet plan-programi i ri mësimor ose nëse bëhet ndryshimi ose plotësimi i më shumë se 30% të planit dhe programit mësimor; nëse nuk i përmbush qëllimet shkencore-profesionale dhe metodologjike dhe nëse përmban materie me të cilën ofendohen historia, kultura dhe vlerat tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë.

Libri i historisë dhe i gjeografisë ka vite që kërkohet të ndryshohet, dhe ajo u aktualizua gjatë procesit të zhvillimit të negociatave Maqedoni – Greqi edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.
Kjo solli deri te formimi i komitetit të përbashkët Maqedoni – Greqi për revidim të teksteve mësimore të Historisë dhe Gjeografisë. 
Për heqje të librit kishte kërkuar edhe grupi i nxënësve të shkollës së mesmeZef Lush Marku” në kuadër të Lidhjes së Nxënësve Shqiptarë, por edhe pse u ishte premtuar atëherë nga pjesëtarët shqiptarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, libri ende është në duart e nxënësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button