Tenderët në katër sy, ministri Ademi: Jemi duke e shqyrtuar ndryshimin e Ligjit për libra (VIDEO)

Ministria i Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojë të nënshkruajë tenderë në katër sy, pasi që disa shtëpi botuese kanë të drejta ekskluzive ndaj një libri shkollor. E drejta ekskluzive vjen me blerjen e të drejtës autoriale të një libri, gjë e cila parashihet edhe me Ligjin për furnizime publike dhe me Ligjin për libra. Kështu ka deklaruar sot ministri i Arsimit, Arbër Ademi në takimin joformal me gazetarët, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me këtë, ministri Ademi njoftoi se janë duke punuar në ndryshim të Ligjit të librave.

“Ne po punojmë në ndryshim dhe plotësim të Ligjit për libra. Themi MASH që nuk duhet të ketë veprimtari botuese. Ne kemi libra ku MASH është botues, ka të drejtë autoriale dhe janë blerë dhe të trashëguara që nga viti 2001. Por kemi edhe blerje të librave me shtëpi botuese”, tha Ademi.

Takimi joformal me gazetarë në MASH. Foto: Borçe Popovski, Kolektif.mk

Siç sqaroi më tej ministri Ademi, të drejtat autoriale MASH i ka vetëm për 50 për qind të librave shkollorë, ndërkaq e drejta ekskluzive shtëpive botuese mund t’i merret nëse kemi ndryshim të plan programit arsimor, ose nëse dhënësi i të drejtës autoriale ia merr të drejtën autoriale shtëpisë botuese.

“Që kur MASH nisi me realizimin e blerjes së librave, nga viti 2009-të deri më sot, dispozitat ligjore të realizimit të kësaj procedure janë të njëjta. Edhe nëse duam të realizojmë ndonjë procedurë tjetër, do ta shkelim ligjin. Mua nuk më intereson se cila shtëpi botuese fiton tenderë për libra. Ndonjë shtëpi botuese ka të drejtë ekskluzive ndaj ndonjë libri shkollor, për shembull biologji apo matematikë për klasën e pestë. Nëse Ministria nuk i ka të drejtat autoriale, shkojmë me blerje. Kjo do të thotë se dikush e ka marrë të drejtën ekskluzive para se unë të vij këtu”, sqaroi ministri Ademi.

Ministri Ademi njoftoi se e drejta ekskluzive parashihet me Ligji për furnizime publike, por ajo mund të hiqet nëse rast se ndryshohet plan programi mësimor.

“Mund të ndodh që dikush mund ta humb të drejtën ekskluzive. Kemi pasur rast në gjuhët e juaja, si pasojë e proceseve gjyqësore apo edhe plan programeve të reja”, tha Ademi.

Ministri Ademi gjithashtu shprehu besimin se procedura për furnizimin publik të librave do të përfundojë së shpejti.

“Për dy vjet do ta kontraktojmë një shtëpi botuese, dhe për dy vjet ne do të jemi të sigurt. Se sa do të botojmë, kjo do të varet nga shkollat se sa do të porositin”, tha Ademi.

Përndryshe, këto sqarime ministri Ademi i dha gjatë takimit joformal me gazetarët., ku e prezantoi buxhetin e MASH-it për vitin 2019-të.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button