Maqedonia në NATO

6 Shkurt 2019 do të mbetet i shënuar në historinë e këtij vendi si një datë historike, si momenti kur ky shtet i vogël dhe me shumë problem siguroi ekzistencën e tij të mëtejshme si vendi i tridhjetë i anëtarësuar në NATO. Pas 11 vitesh, u arrit ky qëllim që në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008 nuk u realizua për shkak të vetos që vuri Greqia. Duhej të kalonte më shumës se një dekadë dhe një regjim si ai i Gruevskit që të kuptojmë se sa e rëndësishme është kjo ditë për sigurinë e shtetit dhe për orientimin e saj gjeostrategjik. Të mos harrojmë se gjatë kësaj dekade kaluam aventura nga më të ndryshmet, u shkëputëm nga procesi i integrimit në UE, NATO as që na interesonte më sepse mendonim që problemi me emrin e shtetit është i pazgjidhshëm. Por ja që u tregua se kur ka vullnet të mirë, nuk ka problem që nuk zgjidhet, qoftë ky një kontest gati 30 vjeçar, qoftë kjo një çështje e pakuptimtë, por ja që pikërisht një çështje e tillë dhe mospasja e vullnetit dhe guximit për ta zgjidhur na mbajti të izoluar gjatë gjithë kësaj kohe, na humbi kohë të çmuar dhe na ndryshoi tërësisht perspektivën që ky shtet mund ta kishte që moti. Ne vërtet jemi një popullatë që vështirë zgjohemi dhe edhe më vështirë e shohim realitetin ashtu siç është.

Kjo ditë është poashtu e veçantë pasi që disa struktura si ajo e Baçevit, Vllahov Micov dhe të tjerë si ata, pësuan humbje të rëndë. Flamuri rus që ata haptazi e ngrisin në ngjarjet e tyre mbetet vetëm një kujtim i neveritshëm për një vend që dëshiron të shkaktojë probleme në një shtet që tani më ka orientim qartazi të definuar dhe e di shumë mirë ku duhet të shkojë. Sa keq që opozita maqedonase duke mos e përkrahur këtë proces u radhit poashtu në atë drejtim destruktiv që ishte njëri ndër faktorët që ndikuan në izolimin tonë tridekadësh. Është pikërisht ajo situatë ku subjekte të caktuara sillen si burrështetas ndërsa të tjerët si politikanë që dëshirojnë të fitojnë pikë të vogla për interesat e tyre meskine politike. Kulmi i një sjelljeje të tillë ishte intervista e ish-kryeministrit të arratisur e në “egzil” i cili për më tepër, dje përmes shkrimit të tij në facebook uroi aderimin në NATO dhe vazhdoi të shkruajë për atë se si duhet të zgjidhet tani e tutje çështja e emrit, pasi e njëjta tani më u zgjodh dhe pasi ai bëri gjithçka që kjo çështje assesi të mos zgjidhet. Dhe të mendosh që ka aq shumë njerëz që atë e trajtojnë si perëndi, është e dhimbshme. Ne vërtet që jemi një popullatë që vështirë zgjohet dhe vështirë e sheh realitetin që e rrethon.

Është për t’u përshëndetur dhe për t’u uruar vendosmëria, kuraoja dhe trimëria që kryeministri Zaev, ministri i jashtëm Dimitrov e treguan për zgjidhjen e çështjes së emrit, pa të cilën zgjidhje Protokolli për Aderim në NATO që u nënshkrua dje nga të gjitha vendet anëtare të kësaj aleance nuk do të nënshkruhej asnjëherë. I gjithë ky ishte një proces i gjatë i mundimshëm dhe me shumë sakrifica, i cili ende nuk ka mbaruar. Shpesh mendoj që çmimi që u pagua ishte vërtet i lartë dhe përfshiu edhe atë që nuk duhej të përfshinte, drejtësinë dhe bartjen e përgjegjësisë.

Sigurisht që punët e mëdha nuk bëhen pa sakrifica të mëdha. Anëtarësimi në NATO na bën neve një vend politikisht të sigurt. Por vendosja e drejtësisë na bën vend të civilizuar ku njerëzit mund të llogarisin gjithmonë se janë të mbrojtur nga ligji. Tani, pasi u bëmë një vend i sigurt duhet të insistojmë të bëhemi edhe një vend i civilizuar, jo një vend ku krimet mund të ndodhin dhe askush të mos përgjigjet për to.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button