Shtetet tjera ia urojnë Maqedonisë nënshkrimin e Protokollit për anëtarësim në NATO

14:30– Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, kanë përshëndetur nënshkrimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, transmeton Anadolu Agency (AA).

Meta, në reagimin tij publikuar në rrjetet sociale shkruan se kjo arritje rrit sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Shqipëria dhe 28 aleatët nënshkruan sot protokollin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Urime udhëheqësve politikë vizionarë dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për këtë arritje të merituar, që nxit përparimin e mëtejshëm të vendit, rrit sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe forcon Aleancën e vlerave të përbashkëta Trans-Atlantike. Vendimi i duhur në kohën e duhur”, ka shkruar presidenti i Shqipërisë.

Në lidhje me nënshkrimin e protokollit ka reaguar edhe ministrja Xhaçka, e cila në rrjetet sociale ka shkruar se “Aleanca hapi krahët dhe dyert për të mirëpritur anëtarin e vet të 30-të në familjen më të madhe politiko-ushtarake. Një mesazh i fortë strategjik për fqinjët tanë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Prej ditës së sotme rajoni ka fituar më shumë siguri, stabilitet dhe paqe”.

Kujtojmë se sot Maqedonia ka nënshkruar protokollin për anëtarësimin në NATO, në një ceremoni që u organizua në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel.

14:09 -Ambasada e SHBA-së në Shkup nëpërmjet Fejsbukut e ka uruar nënshkrimin e sotëm të Protokollin për Anëtarësim të Maqedonisë në NATO, njofton Portalb.mk.

“Urime për këtë hap historik”, shkruan Ambasada e SHBA-së.

Ambasadori Xhes Bejli dhe të punësuarit në Ambasadë bashkë e kanë ndjekur nënshkrimin e Protokollit.

Në mesin e 29 nënshkruesve të Protokollit që sot është realizuar në Bruksel, ishte edhe përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në Aleancë, Kej Bejli Haçinson.

Ndryshe, pas nënshkrimit të Protokollit sot në Bruksel, i njëjti duhet të ratifikohet edhe në secilin shtet anëtar të NATO-s, pas së cilës vijon edhe faza e anëtarësimit të plotfuqishëm të Maqedonisë në NATO, ku Maqedonia bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button