Pusi i mbushur me klithma

Lufta në Kosovë sapo kishte përfunduar, por kudo shiheshin tmerret e saj. Kosova ishte mbështjellë me një mjegull prej ankthi e trishtimi. Kudo njerëz të pikëlluar, që e ndjenin peshën e boshllëkut, shkaktuar nga humbja e më të dashurve. Kudo varre, shumë varre. Varreza të reja. Kudo shtëpi të shkatërruara, të shkrumbuara. Vende të minuara. Dhe rrugë të dëmtuara nga zinxhirët e tankeve…

Në këtë kohë, me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, që punonim si gazetarë, përgatitnim një libër mbi masakrat serbe në Kosovë. Intervistonim dëshmitarë, që e kishin parë tmerrin; dëshmitarë që i kishin shpëtuar vdekjes falë ndonjë çudie.  Një libër si ky, i pari për krimet serbe në Kosovë, asnjëri nga autorët nuk kishte menduar, besuar dhe as kishte dashur ta shkruante. Në fakt, këtë libër e kanë shkruar dëshmitarët, që i kanë përjetuar dhe kanë rrëfyer për tmerret.

Librin e botuar në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht, nuk e kam shfletuar me vite. Sa herë kam provuar më ka kapur trishtimi. E kam fshehur diku në një qoshe të bibliotekës personale nga droja se mund ta lexojnë fëmijët e mi. Ka në këtë libër rrëfime dhe fotografi të tmerrshme. Ka rrëfime që s’i harroj kurrë. Nuk do t’i harroj fytyrat e njerëzve, që shpesh përhumbeshin dhe ndalonin së rrëfyeri për gjithçka kishin parë e përjetuar. Nuk kam për ta harruar ditën kur e vizituam Kotlinën (sot Lumbardh), një katund i Kaçanikut, me panoramë natyrore mahnitëse, që t’i kujton fshatrat e Zvicrës. Në rrethana normale do t’i kisha përshkruar bukuritë e këtij katundi plot idil, por ne po e vizitonin pasi aty kishte ndodhur një tmerr. Bukuria natyrore i ikte shikimit tonë…

Diku në pyll është një pus. Në atë pus nuk kishte ujë. Pusi ishte mbushur me klithma njerëzish, që ishin hedhur aty pasi, më parë, ishin torturuar mizorisht me një dërrasë plot me gozhda. Pastaj, në pus, ishin hedhur bomba. Përreth pusit kishte petka me njolla prej gjaku. O skenë e trishtë sajuar nga mjeshtrit më eminentë të krimit!

Pusi më kujton poemën “Humnera” të poetit kroat, Ivan Goran Kovaçiqit, i vrarë nga forcat çetnike serbe. Poema e poetit pa varr, që e mësonim në shkollë fillore, flet për krimet e çetnikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Poema sjell imazhe dhune dhe çmendurie kundër njerëzve të pafajshëm.

“Sytë e mi u shuan në pëllëmbat e mia”,  thotë një i masakruar që jepte shpirt.

Kur e lexonim poemën nuk e mendonim se, pas shumë vitesh, do të hapeshin humnera të ngjashme. Mendja jonë fëmijërore besonte se humnerat e mbushura me klithje i takonin të kaluarës. Por poema fliste edhe për kohëra të tjera. Ajo dukej aktuale disa dhjetëvjeçarë pasi bota kishte dalë nga një luftë botërore. Është kjo një poemë për egërsinë e luftës dhe çmimin që e kërkon liria. “Liria është e tmerrshme, e ftohtë, e fortë”, kurse “ushtria e saj janë eshtrat, të vdekurit”, thotë ky poet në një poezi tjetër.

Ne që ishim rritur me libra dhe, gjatë gjithë kohës, ishim bërë apologjetë të humanes, pyesnim veten: Si ka mundësi që njeriu të shndërrohej në bishë? Çfarë ishte ajo forcë që e shpërfytyronte qenien njerëzore deri në shkallën sa të ndjente kënaqësi duke e torturuar një njeri të pafajshëm? Përse te këto specie shuhet ndërgjegjja njerëzore, që na dallon prej kafshëve të tjera?…

Një pus i pafund, si humnera e Kovaçiqit, një pus mbushur me klithma. Jeta atë ditë ishte më e trishtë dhe më mizore se vdekja… Ata ishin të rinj, e disa, mbase, s’e kishin provuar as puthjen e parë. Nuk i vranë, i mbytën ngadalë… Poshtë në luginë heshtnin prindërit. Qeniet e tyre ishin mbushur me boshësi gërryese. Sytë e tyre ishin mbushur me trishtim. Dëgjonin klithma që vinin si përtej një muri prej kohe. Ankthi e kishte ngrirë stinën. Si çdo prind besonin se ai që klithte pranë pusit të thellë, si humnera e Kovaçiqit, me gjasë, nuk ishte biri i tyre. Prindërit gjithmonë e ruajnë një copë shprese, kur gjithçka është e pashpresë. Vrasësit heshtazi i vrisnin prindërit, të gjorët prindër, që do t’i dëgjonin çdo ditë klithmat e fëmijëve të tyre. Prandaj nuk i vranë me plumba…

I kam parë petkat me njolla gjaku pranë pusit si humnera e Kovaçiqit. Kishin edhe njolla dhembjeje… Një korb fluturonte nëpër qiell mendimi. Përse historia merret vetëm me pamjet e jashtme dhe jo edhe me klithmat?…

Çdo brez këtu e përjeton një luftë. Ka breza që përjetojnë disa luftëra. Po këtu luftërat harrohen shpejt. Harrohen klithjet, dhembjet, tmerret. Aq shpejt harrohen sa kriminelët marrin guximin t’i akuzojnë viktimat për krime lufte…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button