fbpx

Historike, në Bruksel u nënshkrua Protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO (VIDEO)

Në Selinë e NATO-s në Bruksel sot është nënshkruar Protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO me të cilin filloi faza e fundit e procesit të anëtarësimit të plotfuqishëm. Në prani të ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, përfaqësuesit e vendeve anëtare një nga një e nënshkruan protokollin, transmeton Portalb.mk. 

Dimitrov – Stoltenberg gjatë nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk”

Ministri Nikolla Dimitrov mbajti fjalim para përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe sekretarit Jens Stoltenberg, ku theksoi se vendi është i përgatitur të ndërmerr përgjegjësitë që vijnë me anëtarësimin e plotë në Aleancë.

“Ky ishte rrugëtim i gjatë. Maqedonia së shpejti do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut, kjo është çështje ditësh. Kemi dëshmuar se mund t’i zgjidhim problemet me të cilat jemi përballë. Kjo do të jep porosi në rajon ku ende ka pasiguri. Ne jemi të përgatitur, ne jemi këtu, do t’i ndërmarrim përgjegjësitë që vijnë nga anëtarësimi në NATO. Shpresoj për zbatim efikas të ratifikimit”, tha Dimitrov.

Momenti i nënshkrimit të Protokollit të antëarësimit të Maqedonisë në NATO. Bruksel, 06.02.2018 Foto: Borçe Popovski "Kolektif.mk"
Momenti i nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk”

Ndërsa sekretari Stoltenberg theksoi se nga sot përfaqësuesit e Maqedonisë do t’ju bashkohen në tavolinë vendeve tjera të NATO-s.

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës ishte hapi i parë nga rruga që na solli deri këtu. Nuk ishte rrugë e lehtë, por arritëm këtu me përkushtim të vlerave demokratike dhe reforma për ndërtimin e institucioneve të forta. Ju kemi pritur të na bashkëngjitni në familjen tonë një kohë të gjatë. Me nënshkrimin e Protokollit fillon procesi i ratifikimit, për të cilin pres të kalojë lehtë. Nga sot përfaqësuesit tuaj do të na bashkëngjiten në këtë tavolinë. Do të sjellim vendime së bashku”, tha Stoltenberg.

Konferenca për media Stoltenberg – Dimitrov: Maqedonia tash ka 29 aleatë

Pas nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, sallën e Selisë së NATO-s e kapluan duartrokitje të shumta dhe urime drejt ministrit Dimitrov, ku më pas u mbajt konferencë për media e përbashkët e ministrit Dimitrov dhe sekretarit Stoltenberg.

Sekretari Stoltenberg tha se Maqedonia duke qenë pjesë e misionit të NATO-s në Afganistan, ka treguar se mund të realizojë reforma. Ai gjithashtu tregoi se Qeveria e Maqedonisë ka premtuar se do të ndajë 2 për qind nga prodhimi bruto-vendor deri në vitin 2024.

“Ata treguan se mund të kontribuojnë në mbrojtjen tonë të përbashkët, sepse shteti tashmë ka marrë pjesë në misionin e NATO-s. Ne kemi ushtruar bashkërisht me ata, ata kanë marrë pjesë në misionin tonë në Afganistan, dhe kanë treguar se mund të realizojnë reforma. Ata kanë premtuar dhe janë përkushtuar në modernizimin e mëtutjeshëm për fuqizim të forcave ushtarake të tyre. Të ardhurat e tyre në mbrojtje janë rritur, dhe ka obligim Qeveria që 2 për qind e buxhetit deri në vitin 2024 do të shkojë në mbrojtje”, tha Stoltenberg.

Ndërkaq ministri Dimitrov tha se Maqedonia nuk është e vetme, por ka 29 aleatë.

“Presim që të gjitha shtetet ta ratifikojnë marrëveshjen. E rëndësishme është se tash ne nuk jemi vetëm, por krah për krah me bashkë me aleatët tanë. Me NATO-n do të bëhet bota më e qetë, stabile dhe do të përkushtohemi në misionet tona në NATO, do të sigurojmë gjithçka që Ballkani të jetë më stabil dhe më i avancuat”, tha Dimitrov.

Shefi i zyrës së NATO-s në Maqedoni, Jankoviq: Do t’ju mbështesim deri në anëtarësim të plotfuqishëm

Momenti i nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk”

Në Qendrën Mediale të Qeverisë së Maqedonisë drejtpërdrejtë është ndjekur procesi i nënshkrimit të Protokollit dhe konferencës së medias Stoltenberg – Dimitrov edhe nga përfaqësuesit e zyrës së NATO-s në Maqedoni. Në fjalimin e nderit, shefi i zyrës së NATO-s në Maqedoni, Zoran Jankoviq shprehu urime për përfundimin e procesit, me çka premtoi mbështetje deri në arritjen e cakut, kur Maqedonia të bëhet pjesë e Aleancës.

“Këtu sigurisht mbetet edhe Programi i reformave të cilin duhet ta ndiqni. Presim që shteti juaj të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Ashtu siç tha edhe sekretari gjeneral, ju do të ftoheni të merrni pjesë në të gjitha mbledhjet e Aleancës”, tha Jankoviq.

Pas nënshkrimit të Protokollit sot në Bruksel, i njëjti duhet të ratifikohet edhe në secilin shtet anëtar të NATO-s, pas së cilës vijon edhe faza e anëtarësimit të plotfuqishëm të Maqedonisë në NATO, ku Maqedonia bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

Momenti i nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk”
Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close