A quhet ende luan i mbylluri në kafaz?!

Padyshim që të gjithë e duam ndryshimin por askush nuk merr guximin të del nga komfort zona personale dhe të mundohet të ndryshojë diçka. Jeta në Maqedoni na sfidon shumë. Të jetosh këtu mund të themi se është një nga sfidat më të rënda. Nga ana tjetër, të largohesh nga ky vend është bërë zgjidhja më e lehtë dhe më e preferuar nga shumica e shoqërisë. Por, a duhet të zgjedhim rrugën e ikjes nga vendlindja vetëm sepse duket si mundësia më e lehtë?
Jeta studentore ka uljet dhe ngritjet e saja, vështirësitë dhe sfidat na presin kudo. Ne fokusohemi gjithmonë vetëm në anët negative dhe i anashkalojmë anët pozitive. Shumë nga ju mund të mbrojnë qëndrimin se nuk ka anë pozitive. Shpesh dëgjojmë duke na thënë  “Ne as që kemi motiv për të mësuar sepse të gjithë e dimë si funksionon sistemi i punësimit në shtetin tonë apo?”. Por, ja që unë them se e kemi gabim.
Çdo kush që ka bërë një ndryshim apo revolucion në shoqëri nuk ka ndenjur duarkryq por ka luftuar me aq fuqi sa ka patur. Nuk janë përkulur mungesës së motivit por janë ngritur fuqishëm jo duke e menduar vetem të ardhmen e tyre por edhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ne studentët konsiderohemi si e ardhmja e një populli dhe pikërisht ne jemi ata që mund ta ndryshojmë atë. Në qoftë se ne vazhdojmë të jetojmë sikur asgjë nuk mund të ndryshojë dhe ti anashkalojmë këto problematika atëherë kush do të luftojë? Në qoftë se ne nuk marrim masa kundrejt këtij sistemi kush tjetër duhet të merr?
Shpesh bëjmë diskutime pa fund dhe kur ka nevojë të dëgjohet zëri ynë apo të veprojmë drejt një çështjeje të caktuar ne bëjmë një hap mbrapa ose vetëm themi “Ky vend nuk ndryshon”. Në fakt jemi ne që nuk ndryshojmë dhe jemi ne problemi kyç. Ne jemi ata që flasim pa fund për problemet e studentëve. Ne jemi ata që përplasim fakte në tavolinë çdo ditë kundrejt mjerimit aktual. Dhe përsëri ne jemi ata që nuk e prishim rehatinë tonë për një të ardhme më të mirë. Përderisa ne si studentë nuk tregojmë guxim, vendosshmëri dhe përpjekje për të thyer këto barriera që na janë vendosur përpara, atëherë duhet të na vijë turp t’i themi vetes studentë. Në qoftë se ne vazhdojmë të qëndrojmë duarkryq atëherë me keqardhje po e them që vetëm ky sistem dhe vetëm këto padrejtsi na përshtaten neve.
Ose do luftojmë me nderë për të mos lejuar të tjerët të tallen me të drejtat tona, ose do të mbyllemi nëpër kafazet e kopshteve zoologjike duke u bërë shërbëtorë të vendeve perëndimore. E atëherë do të pyesim veten, a quhet ende luan i mbylluri në kafaz?!

Autor: Zumreta Xhemaili

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button