SHGM: Ndryshimet e ligjit lënë hapësirë për manipulim në media

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë reagoi ndaj ndryshimeve të fundit të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (LShMAA) dhe të Kodit Zgjedhor të cilët më 04 shkurt u miratuan në procedurë të shkurtuar nga Kuvendi duke mos u konsultuar me bashkësinë gazetareske.

“Ndryshimet e LShMAA që i referohen nenit 102 në pjesën e ndalimeve të reklamimit mundësojnë që institucionet publike në nivel qendror dhe lokal të vazhdojnë t’i financojnë radiodifuzerët në rast se me ato kanë nënshkruar kontrata për bashkëpunim që vlejnë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo lë hapësirë, që ky nen i ligjit lehtë të abuzohet dhe në të ardhmen t’u paguhen mediave para publike pavarësisht nga ndalimi deklarativ i tyre.

Rikujtojmë se për të njëjtin nen të ligjit, me ndryshimet nga 31.12.2018, Shoqata gjithashtu kishte kritika shkaku se sipas definicionit të ri institucionet publike nuk duhej të planifikojnë fonde për mediat private, por jo edhe të ketë ndalesë strikte për shpenzimin e parave publike në media. Në këtë mënyrë është lënë hapësirë që të vazhdojë lidhja klientelistike mes pushtetit qendror dhe lokal dhe mediat, posaçërisht duke pasur parasysh se nuk parashihet dënim për shkelje të këtij neni.

Ndryshimet e fundit, vërtetojnë dyshimet e SHGM-së se Qeveria edhe më tutje dëshiron t’i financojë radiodifuzerët privat pa kurfar kritere, gjë që sjell në pyetje pavarësinë e politikës editoriale të këtyre mediave.

Rikujtojmë se edhe Kodi Zgjedhor në pjesën e fushatave zgjedhore, parasheh që fushatat politike të paguhen në mediat private drejtpërdrejtë nga buxheti i Republikës së Maqedonisë. Qëndrimi i SHGM-së është konzistent dhe i qartë, se përderisa me para publike paguhen fushata të partive politike, cenohet pavarësia e mediave dhe mënyra se si ato do të paraqesin kandidatët para publikut gjatë fushatave zgjedhore, ndërsa kjo mund të ndikojë edhe në rezultatet e zgjedhjeve.

Njëkohësisht, SHGM përshëndet ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me mediat online ku Komisionit Shtetëror Zgjedhor i është hequr detyra për të monitoruar punën e mediave online gjatë fushatave zgjedhore. Këto ndryshime janë në pajtim me rekomandimet e mëhershme të SHGM-së, por edhe me ato të Këshillit të Evropës, sipas të cilëve nuk ekziston metodologji me të cilën shteti mund të vlerësojë a raportojnë në mënyrë (jo)profesionale mediat online gjatë proceseve zgjedhore”, thuhet në reagim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button