VMRO ligj ekspres për branitellat, shpërfillet UÇK, BDI hesht!

Grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së kanë dërguar në Kuvend Propozim Ligjin për të drejtë të veçanta për pjesëtarët e forcave të sigurisë të Republikës së Maqedonisë dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Me këtë Propozim ligj këto persona dhe anëtarët e familjeve të tyre do të fitojnë mjekim falas, punësim, banesë me qira, ndihmë financiare, të drejta në arsim, përvojë e dyfishtë e punës, pension familjar, vendosje në shtëpitë e pleqve dhe shënim i vendeve ku janë vrarë pjesëtarët e forcave të sigurisë.

Nga i njëjti Ligj në mënyrë decide përjashtohen pjestarët e UÇK-së, të cilët përveç se do të ngelin pa këta beneficione, quhen edhe ekstremistë në tekstin ligjor.

“Personat që kanë përfituar apo mund të përfitojnë të drejta përmes këtij ligji, nuk mund t’i realizojnë ato të drejta po qe se dëmtimet e  organizmit i kanë marrë si pjesëtarë, ndihmës apo bashkëpunëtorë  të grupeve të armatosura ekstremiste dhe grupacioneve paraushtarake.

Gjegjësisht personat ndaj të cilëve është ngritur padi penale apo kanë marrë dënime të plotfuqishme për shkak të armëmbajtjes pa leje apo mjeteve shpërthyese, apo për vepra penale kundër shtetit, apo njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare  në pajtim me Kodin penal,”, thuhet në projekt ligj.

Nga BDI heshtin në lidhje me ligjin. Zëdhënësi i kësaj partie Bujar Osmani, si edhe shumë herë më parë nuk përgjigjet në pyetjet për të cilat partia e tij duhet të ketë prononcim zyrtar para popullit.

Pritet të shohim si do të veprojnë nga kjo parti për të mbrojtur me ligj edhe invalidët e UÇK-së , ligj i cili zvartet vite me radhë dhe nuk gjen aminin e Parlamenentit.

Propozimi do të hyjë në procedurë parlamentare pas fillimit të punës së Kuvendit pas pushimeve verore, të martën më 22 gusht./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button