BPRM-ja për fazën e dytë të MSA-së: Personat juridikë dhe fizikë mund të investojnë jashtë Maqedonisë

Personat juridikë dhe fizikë mund të investojnë në patundshmëri dhe letra me vlerë jashtë vendit me kalimin e vendit në fazën e dytë të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA), njoftuan sot nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë (BPRM), transmeton Portalb.mk.

“Kalimi në fazën e dytë të MSA-së mundëson jo vetëm mundësi më të mëdha investuese për personat fizikë dhe juridikë, por edhe nivel më të lartë të integrimit të tregut financiar të vendit me tregjet financiare ndërkombëtare. Gjithashtu, lehtësohet emetimi dhe regjistrimi i letrave të huaja me vlerë në vend, si dhe letrave të vendit me vlerë jashtë vendit”, thanë nga BPRM-ja.

Siç sqarojnë më tej nga atje, investimi në tregjet e huaja financiare duhet të bazohet në një numër informacionesh mbi të cilat bazohen pritshmëritë e subjekteve ekonomike në të cilat është planifikuar investimi dhe se rezidentët duhet të respektojnë obligimet që dalin nga Ligji për operacionet valutore që kanë të bëjnë me regjistrimin dhe raportimin e transaksioneve.

“Ndalesa për hapje të llogarive të personave fizikë dhe juridikë jashtë vendit vazhdon të zbatohet, përveç në rastet e parashikuara me Vendimin për mënyrën dhe kushtet me të cilat rezidentët të cilët nuk janë banka të autorizuara, mund të hapin dhe të kenë llogari jashtë vendit”, njoftuan nga BPRM-ja.

Me nënshkrimin e MSA-së, Maqedonia zotohet të respektojë një nga parimet themelore mbi të cilat bazohet tregu i vetëm i Bashkimit Evropian – lëvizja e lirë e kapitalit, që nënkupton një liberalizim të plotë por në faza të rrjedhave nga llogaria kapitale dhe financiare. Pjesa më e madhe e transaksioneve kapitale, të tilla si operacionet e kreditit, investimet e huaja direkte, investimet e jo-rezidentëve në letra me vlerë dhe patundshmëri ishin liberalizuar paraprakisht. Aderimi në fazën e dytë të MSA-së nënkupton liberalizimi të mëtejshëm të rrjedhave kapitale.

Më 25 janar të vitit 2019, hyri në fuqi “Vendimi për kalim në fazën e dytë të asociimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Komunitetit Evropian dhe vendet e tij anëtare”. Me këtë risi, në pajtim me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, shfuqizohen nenet nga Ligji për operacionet valutore të cilat deri më tani kufizonin mundësitë investuese të personave juridikë dhe fizikë jashtë vendit.

Njëkohësisht, Këshilli i BPRM-së, më 31 janar të këtij viti, Vendimin për pezullimin e Vendimit për kushte të cilat duhet të plotësojnë letrat me vlerë jashtë vendit, me të cilat një bankë e autorizuar mund të investojë. Miratimi i këtij vendimi është në vijë me liberalizimin e mëtejshëm të rrjedhave nga llogaria kapitale dhe financiare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button