EMRAT E RRUGËVE

Kam kaluar nëpër Elbasan, qytet i bukur shumë, por më shumë i famshëm me figurat e mëdha kombëtare Kostandin Kristoforidhi , Aleksandër Xhuvani e shumë të tjerë, me normalen që u bë simbol i arsimit shqip, me disa figura të tjera të dijes. Mirë është që emrat e Kristoforidhit dhe Aleksandër Xhuvanit i mbajnë shumë institucione. Mirëpo nuk më ka rënë që me emrat tjerë të figurave të  mëdha të kulturës dhe të historisë shqiptare të jenë emërtuar sheshet e qytetit. Për fat të keq nuk i kam vërejtur emrat e arsimtarëve të dalluar patriotë Dilaver Shkodra dhe Ikbal Fagu (Shkodra) dhe të vëllait të saj, filozofit të ri martir, të cilin e vranë pushtetarët e Enverit.

Nuk më ka rënë në sy as në Kukës që emri i Havzi Nelajt ta stoliste një rrugë të këtij qyteti

Kam qenë edhe në Moskë. Atje ndërron meseleja. Atje është ndryshe. Rusia që ka pasur  plot e përplot figura të mëdha ushtarake dhe politike, disa sheshe kryesore të kryeqytetit i ka emërtuar me figurat e letërsisë. Për shembull: Sheshi i Pushkinit. Ka edhe sheshe, institucione e rrugë të tjera të rëndësishme të Moskës që kanë emra shkrimtarësh dhe njerëz të kulturës.

Mos të shkojmë aq larg. Moskën e morëm si shembull që ta bëjmë me dije si duhet të veprohet. Të biem këtu te ne. Në Shkup, bie fjala. Në komunën e Çairit. Është një rrugë që e mban emrin e nobelistit Ferit Murati. Mirë. Po tjetër? Është edhe një qorrsokak që e mban emrin e Ismail Kadaresë. Them se kjo rrugë nuk ështe e denjë ta mbajë emrin e Kadaresë. Nuk ka takat kjo rrugicë ta mbajë “mbi shpatulla” peshën e një kolosi të kulturës shqiptare. Pastaj, nuk na bën nder as neve emërtimi i kësaj rruge. Mendoj se është demagogji e cila arsyeton politikanët e këtushëm, të cilët nuk mundën që emrat e shumë komunistëve jugosllavë, që nga Sllovenia e deri në jug të vendeve që ishin pjesë e Jugosllavisë së dikurshme, t’i ndërrojnë me emra të figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare. Pse, bie fjala, në rrugë të mos e ketë emrin e Teki Dervishit, i cili ka punuar në Shkup, pse jo edhe të Jusuf Gërvallës, të Mehmetali Hoxhës? Pse të mos quhet një rrugë Adem Gajtani, një tjetër Sabri Dauti e figura të tjera të rëndësishme të kulturës ose të fushave të tjera të jetës  që kanë punuar dhe kanë vepruar në Shkup?

Ecim pak më tutje, disa kilometra në perëndim – në Tetovë. Kur të shkosh atje, ku pas mëvetësimit të Maqedonisë kryetarët e komunës vazhdimisht kanë qenë shqiptarë, ende s’e gjen emrin e Murat Isakut ta stolisë një shkollë, një shtëpi kulture, një institucion. Rinia e këtushme as që e di që këtu kanë punuar e kanë vepruar Nexhat Pustina, Abdylazis Islami, Mustafa Laçi…  E shumë të tjerë.

Në Gostivar mendoj se i rralli e di Sefer Selimin, një krijues letrar që u vra nga dora e zgjatur e pushtetit komunist.

Pse Dibra nuk e ka askund emrin e Haki Stërmillit, të Josif Bagerit? Pse Kumanova  mos ta ketë një rrugë ose një institucion që quhet Fadil Bekteshi e kështu me radhë.

U përmendën këtu emrat e disa shkrimtarëve. Vetëm si shembull. Natyrisht se ka edhe plot figura të tjera që kanë dhënë kontribute në fusha të tjera. Të gjithë ata meritojnë respekt, të gjithë ata meritojnë kujdesin e politikanëve tonë dhe kujdesin tonë të përgjithshëm që mos t’i lëmë t’i gëlltisë harrese. Njëherësh le të shihet se ne kemi qenë, jemi dhe do të tjemi pjesë e këtij vendi me gjuhën tonë, me letërsinë tonë dhe me kontributin tonë të dhënë për të ecur ky vend përpara.

Në fund: shumë nga emrat e rrugëve, të shkollave, të institucioneve kulturore nëpër qytetet në Maqedodni ku jetojnë shqiptarët nuk paraqesin asgjë për popullsinë. Nuk janë shenja njohëse dhe nuk janë mburoja kundër harresës siç do të kishin qenë figurat e rëndësishme të kultursë dhe të kaluarës sonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button