Papa bën thirrje për t’i dhënë fund luftrave në Lindjen e Mesme

Papa Françesku po bën thirrje për t’i dhënë fund luftrave në Lindjen e Mesme.

“Vëllazëria njerëzore kërkon prej nesh, si përfaqësues të feve të botës, detyrën për të refuzuar çdo nuancë miratimi të fjalës ‘luftë’. Le ta hedhim atë tej në pangopësinë e saj të mjerë,” tha kreu i katolikëve të botës në një takim ndërfetar në Emiratet e Bashkuara Arabe të hënën, transmeton Zëri i Amerikës.

“E kam fjalën në veçanti për Jemenin, Sirinë, Irakun dhe Libinë”, tha ai.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë pjesë kyçe e një koalicioni të udhëhequr nga sauditët që lufton në Jemen në mbështetje të presidentit të vendit që nga viti 2015, por që është kritikuar nga grupet e të drejtave për vrasjen e civilëve me sulme ajrore.

Papa Françesku foli së bashku me Sheik Ashamed el-Tayebin, imam i madh i Al-Azharit të Egjiptit, selia 1,000 vjeçare e Islamit sunit. Pjesëmarrës në “Takimin e Vëllazërimit Njerëzor” ishin edhe udhëheqës myslimanë, të krishterë, hebrenj, budistë dhe hindu nga e gjithë bota. Ky është turneu i parë ndonjëherë i një Pape në Gadishullin Arabik.

Konferenca dhe pjesëmarrja e Papës janë pjesë e Vitit të Tolerancës në Emirate dhe e përpjekjeve të vendit për të demonstruar hapjen ndaj besimeve të tjera.

“Është diçka e re për botën myslimane fakti që, në kuadër të këtij diskutimi ata po flasin për dialogun ndërfetar në të gjithë spektrin, përtej marrëdhënieve themelore krishtero-myslimane“, tha Marco Impagliazzo, kryetar i Komunitetit Sant’Egidio, një organizatë katolike me qendër në Romë.

Princi i kurorës së Abu Dhabit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan ishte midis atyre që e përshëndetën papën në pallatin presidencial gjatë një ceremonie të hënën.

Të martën, Papa do të japë një meshë në Abu Dhabi para se të kthehet në Romë.

Kisha Katolike beson se në Emiratet e Bashkuara Arabe ka deri në një milion katolikë. Shumica prej tyre janë nga Filipinet dhe India dhe kanë lënë familjet për të ardhur për punë në Emirate, ku përballen me pasiguri punësimi.

Mesha pritet të tërheqë rreth 135,000 njerëz dhe pritet të jetë manifestimi më i madh publik i krishterë në Gadishullin Arabik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button