Kosovë, 911 persona janë raportuar si viktima të dhunës seksuale gjatë luftës

 Komisioni qeveritar përgjegjës për njohjen e statusit të verifikuar të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, deri më sot ka zgjidhur pozitivisht 195 raste nga gjithsej 911 denoncimet nga ana e viktimave të dhunës seksuale, u tha sot pas takimit të këtij komisioni me Komisionin për të drejtat e njeriut, barazisë gjinore, personave të zhdukur dhe peticione të Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit i cili ishte i mbyllur për mediat, kryetarja e komisionit kuvendor, Duda Balje, tha se bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme, për të shtuar se do të bëjnë çmos për të ndihmuar në këtë çështje.

“Kemi vizituar vendet e rajonit dhe biseduam për këtë çështje. Për ne si vend, është e rëndësishme që të kemi një bazë të të dhënave. Duhet të flasim hapur për atë që ka ndodhur. Është pak problematike nga shkaku se është një çështje e ndjeshme, një çështje brendafamiljare, por ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që së bashku me Komisionin të përpilojmë një bazë të të dhënave, në mënyrë që të kemi më shumë informacione”, tha Balje.

Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, tha nga ana e saj se puna e këtij Komisioni do të ndihmojë qasjen në drejtësi, për të shtuar se gjatë punës një vjeçare ka pasur shumë sfida, pasi një rast është shqyrtuar katër deri në pesë herë.

“Deri më sot në nivel të shtetit kemi pranuar 911 aplikime, ku prej tyre iu njihet statusi 195 personave që gëzojnë pension prej 230 euro. Kemi edhe aplikime të refuzuara, por palët kanë të drejtë të kërkojnë një rishqyrtim”, tha ajo, për të shtuar se nevojitet që shoqëria dhe viktimat të sensibilizohen përmes fushatave ndërgjegjësuese.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj që njeh statusin e viktimës si viktimë e përdhunimit dhe u lejon atyre të marrin një pension mujor.

Sipas vlerësimeve, në Kosovë janë rreth 20.000 persona që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button