Gjykata Supreme ka gjasa t’ia marrë kompetencat PSP-së edhe për rastin “Monstra”

Pas vendimit të Gjykatës Supreme për t’i ndaluar hetimet e hapura për lëndët që Prokuroria Speciale Publike (PSP) pas 30 qershorit të vitit 2017-të, edhe rasti “Monstra” ka mbetur në udhëkryq në lidhje me atë se a do të vazhdojë kjo Prokurori ta ketë nën kompetencë apo Gjykata Supreme përsëri do t’ia kthejë lëndën Prokurorisë Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, duke e pasur parasysh se PSP këtë lëndë e ka marrë nën kompetencë më 21 mars të vitit 2018-të, gjegjësisht jashtë afatit ligjor, njofton Portalb.mk.

Jozyrtarisht Portalb.mk, mëson se sot Gjykata Penale ka mbledhur kolegjium me gjykatësit për të diskutuar rreth kësaj çështje, gejgjësisht për lëndët që janë marrë pas skadimit të afatit të PSP-së për ngritje të akuzës.

Sipas nenit 22 nga ligji për PSP, thuhet se kjo Prokurori mund të ngrit hetim, t’i ndalojë ose të dorëzojë akuzë në afat prej 18 muajve nga marrja e “bombave”, ndërkaq ajo është deri në 30 qershor të vitit 2017.

Nëse merret parasysh praktika e vendimit paraprak, lënda ka gjasa që t’i rikthehet Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ndërkaq në këtë rast do vihej në pikëpyetje nëse materialet e përgjuara që supozohet t’i ketë Prokuroria Speciale, do të munden të përdoren në procedurë.

Në rast se lënda i rikthehet Prokurorisë për Krim të Organizuar, kjo nënkupton që gjykimi do të fillojë nga e para.

Pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin “Monstra”, thonë se nuk ka rëndësi kush do ta përfaqësojë, por me rëndësi është që të dalë në pah e vërteta dhe “bombat” të cilat supozohet t’i ketë Prokuroria Speciale të nxirren.

“Ne dëshirojmë që të mbeten kompetencat te Prokuroria Speciale për arsye që të mos kryhen komplikime në lidhje me “bombat”, pasi që atëherë Prokuroria e rregullt nuk do të ketë kompetenca t’i përdorë “bombat” e Prokurorisë Speciale. Ne jemi që të zbardhet e vërteta”, thotë për Portalb.mk, avokati Naser Raufi, pas mbarimit të seancës së sotme gjyqësore.

Se çfarë do të ndodh me “bombat” mbetet të shihet edhe me propozim-ligjin për Prokurorinë Speciale i cili ende ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë në mungesë të marrëveshjes politike të pushtetit dhe opozitës.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, të premten tha se ende nuk kanë arritur marrëveshje për Ligjin për PSP, ndërkaq në lidhje me atë se nëse ndërrohen kompetencat, ajo tha se “nëse nuk përndjekë PSP do të përndjekë Prokuroria e rregullt, por se a do të ketë mundësi që Prokuroria e rregullt t’i përdorë “bombat” për atë do të duhet të vendosë gjykata”.

Portalb.mk, ka tentuar që të kontaktojë edhe me Prokurorinë Speciale, por të njëjtët nuk kanë qenë të kapshëm për redaksinë tonë.

Ndryshe, me shumicë të votave, gjykatësit suprem kanë miratuar vendim se hetimet e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), të cilat i ka hapur pas 30 qershorit të vitit 2017-të, nuk munden të vazhdojnë më tej. Hidhen poshtë hetimet për regjistrimin e popullsisë kundër liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe të arratisurit ish kryeministrit Nikolla Gruevski, hetimi “I fuqishmi” kundër deputetit Antonio Milloshoski, “Pacienti” kundër zv/kryeministrit Bujar Osmani, “Dizajni” për autobusët kinezë dhe të tjera.

Prokurorisë Speciale i janë marrë edhe hetimet “Perandoria”, “Talir” dhe “Banka e Postës” dhe i kthehen Prokurorisë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, prej ku paraprakisht janë marrë. Në fakt, të gjitha hetimet e marra nga Prokuroria e rregullt janë kthyer nga Katica Janeva te shefja e Prokurorisë Themelore Publike, Vilma Ruskoska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button