Kryeministri Zaev ka kërkuar takim me Iniciativën Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”

Qeveria e Maqedonisë, respektivisht kryeministri Zoran Zaev u është drejtuar me shkrim udhëheqësisë së Iniciativës Qytetare “Ta shpëtojme Kodrën e Diellit” të ulen në tryezë për bisedime, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e Maqedonisë konfirmoi për Portalb.mk se kryeministri Zoran Zaev ka kërkuar takim me Iniciativën Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.  Për datën dhe orën, siç tha zëdhënësi Mile Boshnjakovski, do të njoftojnë sërish.

Edhe Iniciativa Qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” ka lajmëruar qytetarët se ky takim do të zhvillohet së shpejti, por kanë një kusht.

“Pas të gjitha thirrjeve dhe protestave, përfundimisht kryeministri Zoran Zaev bën thirrje drejt iniciativës “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” për ulje në tryezë! Kushti i parë për ulje në tryezë është: ELEM të mos menaxhojë me Kodrën e Diellit“, thonë nga iniciativa transmeton Portalb.mk.

Nga iniciativa lajmërojnë që kjo thirrje për takim vjen si rezultat i presionit dhe aksionit të djeshëm, ku u bllokua rruga dhe u ndaluan punëtorët që të arrijnë në Kodrën e Diellit.

Sipas tyre, takimi do të mbahet fillimisht në Shkup dhe më pas do të dalin edhe në terren për të parë gjendjen nga afër.

“Takimi së pari do të mbahet në Shkup, në Qeveri ku do të jenë prezent të gjithë ministrat, drejtorët dhe përfaqësuesit e institucioneve të cilat kanë të bëjnë me Kodrën e Diellit. Më pas do dilet në terren që të verifikohet edhe gjendja faktike.

Ndryshe, Kodra e Diellit përballet me probleme të shumta: mungesë investimesh, mungesë e teleferikut me gjashtë ulëse, mungesë e vendeve për parkim, infrastrukturë e parregulluar si dhe grumbullim i mbeturinave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button