“Eco Guerila”-Tetovë: Qeveria ka pranuar të ndihmojë për filtra të ndërmarrjeve të vogla

Qeveria e pranoi propozimin e Shoqatës  Ekologjike “Eco-Guerila” nga Tetova që ka të bëjë me vendosjen e filtrave në oxhaqet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, fillimisht të atyre që prodhojnë mobilje, në zonën e Tetovës dhe Gostivarit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Në rajonin e Pollogut ka 31 ndërmarrje të tilla dhe të gjitha ato mbeturina e tyre, që përbëhen prej thërrmijave të drurit (kompensatë), syngjerit, lëkurës, plastmasit i përdorin për ngrohje me çka e ndotin mjedisin jetësor, kurse kemi informata se ka edhe njerëz që i blejnë ato mbeturina për të ngrohur shtëpitë e tyre”, thotë Arianit Xhaferi nga “Eco Guerila”.

Ai shton se ideja e tyre buron nga fakti që Qeveria vendosi t’i ndihmojë “Jugohrom-it” për të vendosur filtra, ashtu që kanë vlerësuar se do të ishte e drejtë, t’u ndihmohet edhe bizneseve të vogla, të cilat gjithashtu ndotin ndonëse nuk e dëshirojnë këtë, por nuk kanë as resurse financiare dhe as dituri për të zgjidhue këtë problem.

“Tetova ka qenë rekorder në nivelin e ndotjes, me mesatare prej 150 mikrogram ndotje në vitin 2013 dhe 2014, ndërkaq që kur nuk punon “Jugohromi” në vitin 2018 kjo është zvogëluar në 50 mikrogram, por ne dëshirojmë të reduktohet edhe më shumë”, e sqaroi propozimin Xhaferi.

Ai thotë se propozimi i tyre parasheh, filtra për kapacitetet e vogla industriale në të ardhmen të prodhohen së pari në zonën e Tetovës, në ndërmarrje joprofitabile sociale, prodhimtari e cila do të subvencionohej nga shtetit nëpërmjet ndonjë kredie të volitshme ose në mënyrë tjetër, kurse më pas edhe në qytetet tjera të Maqedonisë. Sipas Xhaferit, nëse importohen nga Polonia, Turqia ose vende tjera këto filtra do të ishin shumë më të shtrenjtë.

“Propozimi ynë tani është pjesë e programit qeveritar për ajër të pastër. Një javë pasi e prezantuam propozimin në takimin e organizatave joqeveritare, që u mbajt në Qeveri, zëvendës ministri Jani Makraduli erdhi në Tetovë për t’i diskutuar detajet. Shpresojmë se me Fondin për inovime dhe Ministrinë për punë dhe politikë sociale do të gjejmë model si të fillojë funksionimi i ndërmarrjes, të punësohen personat në rrezik social dhe në vjeshtë të fillojë prodhimtaria e filtrave”, shtoi Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button