Duel “Championsi”, Roma pret Milanin për të harruar poshtërimin e Firences

Do të jetë një duel me aromë Europe, ai që do të zhvillohet sonte në “Olimpico”, me Romën që do të presë Milanin. Një përballje direkte që do të përcaktojë edhe ekipin që do të ketë më shumë mundësi të forcojë pozitat në zonën Champions, njofton Supersport.al.

Verdhekuqtë do të vijnë në këtë duel pas humbjes së turpshme në çerekfinalen e Kupës së Italisë kundër Fiorentinës, në shifrat e thella 7-1, disfatë që i shkaktoi edhe eliminimin, ekipit të drejtuar nga Eusebio Di Francescko, dhe sigurisht që tashmë të gjithë do të tentojnë një reagim.

Në kampin tjetër, Milani vjen më se i karikuar, aq me tepër pas suksesit në Kupën e Italisë kundër Napolit, që u vendos falë dygolëshit të bomberit polak Piatek, i cili i dhuroi skuadrës kualifikimin për gjysmëfinalen e këtij kompeticioni.

Hera e fundit kur kuqezinjtë udhëtonin drejt Romës ishte 25 maji i 2018-ës, transfertë të cilën “djajtë” e fituan në shifrat 2-0, falë rrjetave të Cutrones dhe Calabrias.

Përsa i përket bilancit të përgjithshëm, Milani është më i avantazhuar, pasi në 167 përballje, numëron 74 suksese kundrejt 44 në favor të Romës, ndërsa 49 takime kanë përfunduar në barazim.

Sulmi i kuqezinjve sigurisht që do të udhëhiqet nga Piatek, i cili para pak ditëve festoi edhe dygolëshin e tij të parë me fanellën e Milanit në Kupën e Italisë, ndërsa Roma mund t’i gëzohet faktit që Edin Dzeko ka rigjetur formën e tij më të mirë duke u kthyer edhe tek goli.

Synimi është i njëjtë si për Romën, ashtu edhe për Milanin, që duan suksesin për të hedhur një hap më të sigurt drejt arritjes së njërit prej 4 vendeve të para të renditjes, që të dërgojnë në zonën Champions, që është edhe objektivi për këtë sezon, i këtyre dy klubeve.

Por kampionatin italian do të startojë që në orën 12:30, me sfidën mes Spalit dhe Torinos, për të vijuar më pas me dy takime të tjera në orën 15:00, si Genoa-Sassuolo dhe Udinese-Fiorentina.

Më pas, në orën 18:00 do të jetë radha e Interit, që do të përballet në “San Siro” me Bolognën, në një sfidë ku fitorja është shndërruar në një detyrim për skuadrën zikaltër.

Të besuarit e Spallettit u eliminuan nga një tjetër kompeticion, siç ishte Kupa e Italisë dhe tashmë luajnë vetëm për zonën Champions, në pritje të rifillimit të Europa Leagues.

Përballë do të jetë Bologna, që tashmë drejtohet nga Sinisa Mihajloviç, me serbin që zëvendësoi Philippo Inzaghin, pasi skuadra nuk po merrte rezultatet e pritura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button