Përbërja e re e Antikorrupsionit: U intervistua prokurori Zllatko Bikovski – ndaj tij ka dy procedura disiplinore

Në Kuvendin e Maqedonisë janë duke u intervistuar kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Komisionit për Parandalim të Korrupsionit (Komisioni për Antikorrupsion). U intervistuan prokurori Zllatko Bikovski, Leposava Apostollova – Belinov dhe Nijazi Asani, transmeton Portalb.mk.

Prokurori Zllatko Bikovski ka tërhequr vëmendje të madhe, pasi që është prokuror në rastin “Puç” për të cilin është duke u zhvilluar edhe procedurë disiplinore. Për të është caktuar edhe masë disiplinore gjashtëmujore – të marrë një të tretën e pagës më pas, sepse nuk ka vepruar me kohë dhe në mënyrë adekuate në procedurën e 27-prillit.

Duke e sqaruar portofolin e tij, Bikovski ka deklaruar se nuk ka humbur asnjë rast, kurse vetëm nga rastet “Metastazë” dhe “Kalldërma” shteti ka kompensuar dëm në vlerë prej 2 milionë euro.

Duke shtuar më tej, prokurori – kandidati Bikovski ka pohuar se gjatë karrierës së tij ka pasur tentativa që të ndikohet në procedurat e tija, kurse reagimet e tij ndaj atyre kanë qenë “kulturore dhe profesionale, por rigoroze”.

I pyetur se pse nuk i ka denoncuar këto përpjekje për ndikim, Bikovski tha: “Askund në botë nuk mund të presim që përpjekjet për ndikim të dalin brenda natës dhe atë do ta zgjidh ndonjë rregullativë”, tha Bikovski.

Intervistimi ka vazhduar me Leposava Apostollova – Belinov nga Enti Shtetëror për Revizion i cila më parë ka punuar në trupin revizional të IPA-s.

“Duhet të ketë mekanizma për atë që ka bërë keqpërdorime, të ketë mekanizëm që të kthehen paratë. Nëse miratojmë ligje të cilat nuk kemi qëllim që t’i zbatojmë, atëherë nuk kemi pse t’i miratojmë”, tha Apostollova – Belinov.

I punësuar në administratën komunale për çështje juridike të Gostivarit, Nijazi Asani ka theksuar se ka punuar në Zvicër 9 vjet dhe se nga atje ka marrë përvojë, por ka refuzuar të tregojë rraste korruptive për të cilat ai ka dëgjuar si qytetar. I pyetur se cilat tre probleme korruptive duhet të zgjidhen së pari, Asani tha:

“Korrupsioni gjatë të punësuarit dhe konflikti i interesit, sipas akteve të sistematizimit dhe organizimit të brendshëm, që të kemi individë kompetent, furnizimet publike, shëndetësia dhe arsimit”.

Gjithsej 57 kandidatë do të intervistohen ditëve në vijim, prej të cilëve vetëm 7 do të jenë pjesë e Komisionit për Antikorrupsion.

Në konkursin publik, u paraqitën 80 individë, 21 u diskualifikuan që në ditën e parë, pasi që nuk e kishin arsim adekuat dhe dokumentacion të plotë, kurse njëri vetë i ka tërhequr dokumentet. Me ligjin e ri edhe gazetarët mund të bëhen pjesë e Komisionit për Antikorrupsion, dhe për këtë shkak si anëtarë kanë aplikuar Xhelal Neziri nga SCOOP dhe Goran Tërpenovski nga “Sakam da kazam”, të cilët pritet të intervistohen të mërkurën.

Kandidatët janë duke u intervistuar nga Komisioni për Përzgjedhje i kryesuar nga deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Muhamed Zekiri. Në këtë komision pjesëtarë janë edhe: deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Iliovski dhe nga Grupi Parlamentar i Pavarur, Vlladanka Aviroviq. Nga sektori civil janë Besim Nebiu dhe Sabina Fakiq, kurse nga Avokati i Popullit do të jëtë Dragi Celevski.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi në takimin joformal me gazetarët deklaroi se përbërja e re e Komisionit për Antikorrupsion pritet të jetë në seancë plenare më 8 shkurt, ditë kjo që korrespondon me shpalljen e zgjedhjeve presidenciale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button