Venezuela këtë vit do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është shprehur se në vend do të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Maduro, ka mbajtur një fjalim në mitingun e zhvilluar në Karakas nga Partia Socialiste e Bashkuar e Venezuelës (PSUV) me rastin e 20-vjetorit të Revolucionit Bolivarian nën udhëheqjen e Hugo Chavez në Venezuelë më 2 shkurt 1999.

“Gjithashtu Asambleja Kombëtare Kushtetuese po harton një projektligj të ri për të luftuar korrupsionin dhe neglizhencën. Unë u kam kërkuar shokëve tanë që të punojnë më shpejt për ta miratuar ligjin këtë javë”, tha Maduro, duke tërhequr vëmendjen se Asambleja Kombëtare Kushtetuese po harton një sërë projektligjesh të reja të rëndësishme.

Pasi ka njoftuar se do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, Maduro tha se “Ne kemi edhe një luftë të ndryshme që u shërben interesave kombëtare. Asambleja Kombëtare Kushtetuese do të mbajë zgjedhjet parlamentare brenda këtij viti. Unë besoj në fuqinë legjislative të vendit. Do të shkojmë në zgjedhjet parlamentare të lira dhe të garantuara në të cilat populli do të vendosë”.

“Unë mendoj dhe punoj çdo ditë për të krijuar vende pune, për të siguruar arsimimin e fëmijëve tanë dhe për të ndërtuar 3 milionë shtëpi deri në dhjetor të këtij viti. Ne do t’i arrijmë këto duke kryer përpjekje të mira dhe politika të mira”, tha më tej Maduro duke theksuar se ai punon për të ardhmen e Venezuelës.

Duke u shprehur se Venezuela nuk ka nevojë për ndihmën e vendeve të tjera, Maduro, tha “Koha është për të kërkuar zgjidhje me unitet kombëtar dhe punë. Venezuela nuk është një vend lypës, ne nuk jemi lypës të askujt”.

Më tej duke iu referuar liderit opozitar, Juan Guaido, Maduro, tha se “Ata që e shohin veten si lypës të imperializmit, e shesin atdheun e tyre për 20 milionë dollarë”.

Pavarësisht nga përpjekjet e forcave të huaja për grusht shteti, populli i Venezuelës ka qëndruar larg dhunës me qetësi dhe drejtësi dhe se askush nuk dëshiron trazira nëpër rrugë, shtoi Maduro.

“Viti 2019 filloi shumë shpejt, por me unitetin e popullit dhe të forcave të armatosura, me ruajtjen e punës dhe të paqes, viti 2019 do të jetë rimëkëmbja e ekonomisë sonë dhe viti i prosperitetit të Venezuelës”, theksoi Maduro.

– Thirrje për dialog opozitës

Duke i bërë thirrje opozitës për dialog, Maduro theksoi se “Deri sa do të vazhdojë kjo tentativë për grusht shteti? Unë riafirmoj mbështetjen time për dialogun. Unë jam i gatshëm të flas me ju kudo dhe sa herë të doni, për të krijuar një agjendë prioritare kombëtare. Prioriteti kryesor i vendit është ekonomia dhe rimëkëmbja ekonomike”.

Duke theksuar qe qeveria amerikane nuk është pro dialogut, Maduro tha se “Qeveria imperialiste e Donald Trumpit njoftoi se është kundër dialogut në Venezuelë. Nëse qeveria amerikane nuk dëshiron dialog, çfarë kërkon ajo? Dëshirojnë ndërhyrje ushtarake dhe luftë në Venezuelë me grushtin e shtetit që drejtojnë duke e mbështetur financiarisht?”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button