Pse autoritetet i mbyllin sytë për Drisllën?

Institucionet kompetente kanë përgjegjësi për faktin se Drislla vite me radhë ka punuar pa e avancuar teknologjinë e saj dhe pa i respektuar standardet mjedisore, thonë njohësit e rrethanave. Aktivistët para dy ditësh e bllokuan hyrjen në Drislla dhe kërkuan ndërprerjen e marrëveshjes me koncesionarin dhe përgjigje nga politikanët.

Deponia Drislla me vite është duke punuar me furrë të vjetruar për djegie të mbeturinave mjekësore, ndërsa prej vitit të kaluar edhe me filtër të vjetër, ndërsa investimet e premtuara, prej 73 milionë euro, koncesionari i ri nuk i ka realizuar. Furra është dhuratë në vitin 2001 nga autoritetet britanike, ndërsa filtri i ri u instalua në prill të vitit të kaluar, pasi deponia u gjobit me 8500 euro. Por, përveç gjobës, askush nuk ka bartur përgjegjësi për punën e pandërgjegjshme të Drisllës.

Radio Evropa e Lirë edhe më parë ka shkruar se Ministria e mjedisit jetësor ndonëse ka qenë e njoftuar me situatën në vitin 2013, për deponinë është lëshuar leje A e integruar mjedisore, që sipas ligjit bazohet në aplikimin e teknikave më të mira në dispozicion, transmeton Portalb.mk.

“Afati për përmbushje të kushteve, gjegjësisht avancim të teknologjisë nga leja e  integruar mjedisore ka skaduar në prill 2014. Vazhdimi i punës pa fare teknologji të re. Mos zbatimi i mbikëqyrjes nga Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor. Mbyllja e syve nga Ministria e mjedisit jetësor dhe Qeveria janë organet që duhet të mbajnë përgjegjësi përse ky kapaciteti, për dallim nga disa objekte tjera private që gjithashtu bien në të njëjtën licencë, pa i përmbushur kushtet për avancimin e teknologjisë” thotë Alexandra Bujarovska nga organizata joqeveritare 21/42.

Nga Drislla arsyetohen se Gjykata është gjenerator i krejt asaj që po ndodh me deponinë dhe se shumë shpejt do të përfundojë procesi dhe do të fillojnë investimet që i ka premtuar koncesionari, kompania italiane “FLC Ambiente”, menaxhimi i së cilës kundërshtohet që nga marrja e tenderit.

Qyteti i Shkupit, i cili ka 20 për qind të aksioneve, njoftoi se në shkurt do të merret vendim se cila nga kompanitë pjesëmarrëse në tender do ta merr koncesionin për Drislla. Pronarët e “FCL Ambiente”, sipas IRL, në një takim me kryetarin e Shkupit, Peter Shilegov kanë kërkuar edhe një shans tjetër për të modernizuar deponinë.

Aktivistët e mjedisit nën iniciativën “Të bashkuar për ajër të pastër” e bllokuan hyrjen deri te Drislla dhe kërkojnë që të ndërpritet marrëveshja me koncesionarin, i cili siç thanë nuk e ka investuar një qindarkë në deponi. Ata gjithashtu kërkuan përgjigje për atë se çfarë digjet dhe si në Drislla, vallë respektohen standardet evropiane dhe çfarë ndërmarrin autoritetet shtetërore.

“Duam t’u dërgojmë mesazh të qartë politikanëve se nuk u besojmë. Gjithnjë e më shumë besojmë se edhe ata janë përfshirë në këtë biznes, sepse ndotja është biznes. Gjithnjë e më pak besojmë në paaftësinë e tyre për ta zgjidhur këtë. Zotërinj politikanë pastroni plehrat sepse para zgjedhjeve do t’ju mbulojnë”, tha Marjan Nenov nga iniciativa.

Nga Prokuroria publike themelore Shkup, pas informatës para një viti hapën lëndë për punën e deponisë për veprën penale ndotje të mjedisit jetësor dhe natyrës. Por rasti, siç njoftuan nga prokuroria, ende është në fazën para hetimore.

LEXO: Protesta në “Drislla”, u kërkua që të dëshmohet se a importohen mbeturina nga shtetet tjera (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button