Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për pagat

Me 63 vota për dhe një abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për pagat në sektorin publik.
Kryetari i Komisionit për administratë publike, qeverisje lokale dhe media, Nait Hasani, gjatë paraqitjes së rekomandimeve të këtij komisioni, lidhur me Ligjin për pagat, tha se ky ligj ofron nivelizim të pagave në sektorin publik, njofton REL.

“Mendoj e se me këtë projektligji dhe listën që është e bashkëngjitur, ne ja kemi arritur qëllimit që të paktën t’i nivilizojmë, t’i japim meritat secilit ku e ka dhe t’i japim atyre që duhet dhe të vlerësojmë edhe institucionet e shtetit për mbrojtje e siguri. Të gjitha institucionet e kanë vendin e merituar për punën që e bëjnë, prandaj për punën e njëjtë, paga e njëjtë. Ky ligj i siguron të gjithë atë në formën në të cilën janë miratuar amendamentet nga komisioni. Çdo ndryshimi i amendamenteve ose çdo votim kundër e çrregullon ketë sistem dhe parë do ta kemi një gjendje me të keqe se sa që e kemi pasur deri tash”, tha Hasani.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se me miratimin e Ligjit për pagat, do të përfitojnë 70 për qind e punonjësve të sektorit publik, që sipas tij, “po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre”.

Para miratimit në Kuvend të këtij ligji, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se Projektligji për pagat ofron vetëm rritje për punonjësit në sektorin publik.

“Pagat u janë rritur të gjithë mësimdhënësve, personelit shëndetësor, policëve, ushtarëve, shërbyesve civilë dhe të gjitha kategorive tjera në sektorin publik”, shprehet Veseli.

Para fillimit të seancës parlamentare, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka marrë vendim për shkarkimin nga detyra të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo.

Lista Serbe kohë më parë ka thënë se nuk është më pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe se në Kuvend do të jetë pjesë e opozitës. Megjithatë, ministrat e kësaj partie që përfaqëson komunitetin serb, kanë vazhduar punën e tyre në dorëheqje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button