SHBA u tërhoq nga pakti bërthamor me Rusinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) njoftuan tërheqjen nga Marrëveshja e Forcave Nukleare me Rreze të Mesme (INF), e cila përbënte themelet e kontrollit të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në një konferencë për media në Washington bëri të ditur se vendi i tij do të tërhiqet njëanshëm nga INF, e nënshkruar në vitin 1987 me Bashkimin Sovjetik, e cila parasheh ndalimin e raketave të pajisura me koka nukleare me rreze veprimi nga 500 deri në 5.500 kilometra.

Pompeo tha se për shkak të kalimit të afatit deri më 1 shkurt që i është njohur Rusisë për t’i dhënë fund shkeljeve ndaj marrëveshjes, vendi i tij nga dita e nesërme do të nisë procesin e tërheqjes së paraparë sipas nenit 15 të marrëveshjes.

Kryediplomati amerikan, Pompeo tha se brenda 6 muajve do t’u japin fund detyrimeve që burojnë nga marrëveshja.

Tërheqja vjen pasi SHBA dhe Rusia, nënshkruese të paktit në vitin 1987, së fundmi kanë akuzuar njëra-tjetrën në lidhje me marrëveshjen.

Në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel në dhjetor të vitit të kaluar, Pompeo i kishte dhënë afat prej 60 ditësh Rusisë për ta respektuar marrëveshjen INF, i cili përfundon sot.

Anulimi i marrëveshjes ka shkaktuar shqetësime se gara e armëve mund të intensifikohet dhe të kërcënojë sigurinë e Evropës.

Pas njoftimit për tërheqje të SHBA-së, vendi do të ndahet tërësisht nga marrëveshja teknikisht pas një periudhe prej 6 muajsh.

INF u nënshkrua në vitin 1987, nga kreu i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, dhe presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, me qëllim të eliminimit të perspektivave të luftës bërthamore në Evropë.

Marrëveshja përfshinte vetëm predhat e hedhura nga toka në ajër dhe jo ato të shkrepura nga deti.

Në saje të marrëveshjes, tashmë 30 vite në Evropë ka qenë i ndaluar pozicionimi i predhave me kokë nukleare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button