fbpx

Ish-presidentët dhe kryeministrat e vendeve të rajonit themeluan Klubin e Podgoricës

Klubi i Podgoricës, i cili mblodhi së bashku ish presidentët dhe kryeministrat e vendeve të rajonit, u themelua sot në kryeqytetin e Malit të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Anëtarë të klubit të Podgoricës janë ish presidentët dhe kryeministrat e Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, Sllovenisë dhe Serbisë.

Siç thuhet në aktin themelues, Klubi i Podgoricës do t’i përkushtohet prosperitetit, marrëdhënieve të mira dhe afirmimit të vlerave evropiane në shtetet anëtare të këtij klubi si dhe rajonit të Evropës Juglindore. Përveç kësaj, theksi do të vihet në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.

Ish presidenti malazez Filip Vujanoviç ka thënë se Klubi i Podgoricës nuk do të merret me historinë por me të ardhmen.

“U përcaktuam për këtë përbërje të shteteve, për shkak se BE-ja në dokumentin e saj strategjik të marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor ka shënuar këto gjashtë shtete si partnerë, ndërsa Kroacia dhe Sllovenia tashmë janë në BE dhe ne besojmë se së bashku në kooperim me ta duhet të kemi një urë bashkëpunimi me BE dhe se ata duhet të jenë një lloj motori i veprimit tonë. Është e sigurtë se takimin e radhës do ta kemi në Zagreb apo në Lubjanë, sa më parë, dhe se kjo do të mbahet para zgjedhjeve për Komisionin e BE-së për t’i bërë thirrje BE-së për të pranuar kandidaturën e Shqipërisë dhe Maqedonisë për fillimin e negociatave”, tha Vujanoviç.

Ai komoentoi edhe rreth procesit të negociatave të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Ne e kuptojmë lodhjen e Evropës, por BE-ja gjithashtu duhet të kuptojë lodhjen e pritjes. Nëse presim shumë, shumë gjatë dhe panevojshëm, atëherë kjo nuk është një kompliment për BE-në dhe zgjerimin”, tha Vujanoviç.

Zlatko Lagumxhija, një ish-kryetar i Këshillit të Bosnjë e Hercegovinës, tha se një nga idetë themelore të Klubit të Podgoricës do të jetë përpjekja për artikulimin e vizionit 2030, vizionin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore.

“Ne jemi një tërësi logjike në përpjekje për të kërkuar një vizion të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030, por, nga ana tjetër, ajo duhet të përfshihet në vizionin e BE-së 2030. Prandaj, ne përpiqemi të ndikojmë për të krijuar një klimë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është një rrugë dykahëshe, ku në qoftë se dështon njëri, nuk do të ketë sukses as tjetri dhe anasjelltas”, tha Lagumxhija.

Në themelimin e Klubit të Podgoricës të pranishëm ishin Filip Vujanoviç, ish-presidenti i Malit të Zi, ish-kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zlatko Lagumxhija, ish-presidenti Maqedonisë Branko Cërvenkovski dhe ai Sllovenisë Danilo Turk. Gjithashtu të pranishëm ishin ish kryeministrat e Serbisë dhe Kroacisë, Mirko Cvetkoviç dhe Jadranka Kosor.

Përveç themeluesve, anëtarë të Klubit të Podgoricës janë zgjedhur edhe Milan Kuçan, ish-presidenti i Sllovenisë, Stjepan Mesiq, ish president i Kroacisë, Natasha Miçiç, ish-presidente e Serbisë, Alfred Moisiu ish president i Shqipërisrë, Fatmir Sejdiu ish-president i Kosovës, Igor Luksiç, ish-kryeministër i Malit të Zi, dhe Hari Kostov, ish kryeministër i Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button