fbpx

Kosovë, lista e drejtimeve të Universitetit të Prishtinës që nuk akreditohen

Të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, nëse nuk do të ketë një vendim tjetër, nuk do të kenë mundësi të doktorojnë në njërën nga lëndët bazike të Juridikut e cila është ‘E Drejta Kushtetuese’.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të UP-së të cilat kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore. Lista nuk është përfundimtare deri në përfundimin e procesit të ankimimit.

Gjithsej 24 programe të UP-së kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e këtij Këshilli duke e ulur kështu numrin e programeve të akredituara në vetëm 122. Rrjedhimisht kushdo që kishte planifikuar të studionte Gazetari, Shkenca Politike, Gjeodezi apo Infermieri në Universitetin e Prishtinës, në vitin e ardhshëm akademik duhet të kërkojë zgjidhje të tjera nëse vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë mbesin në fuqi.

Në listë janë 13 programe të cilat nuk e kanë përmbushur kriterin e të pasurit tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë për një program studimi në nivelin Bachelor.

Ngjashëm edhe programet të cilat nuk patën një ose dy doktorë shkence për programet Master dhe tre profesorë të asocuar për programet e doktoratës.

E në total, 24 programe të studimit në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ nuk do të mund të pranojnë studentë të rinj në vitin e ri akademik.

Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë

Në këtë fakultet nuk është akredituar programi i ‘Menaxhimit të biznesit në blegtori’ në nivelin Bachelor i shkencës. Poashtu nuk është akredituar programi i ri “Shkenca e Ushqimit” në nivelin Master.

Ndërsa programet që u akredituan janë; ‘Ekonomia bujqësore’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit’, në nivelin Master i shkencës, ‘Lavërtari me perimtari’ në nivelin Master i shkencës, ‘Mbrojtje e Bimëve-Fitomedicinë’ në nivelin Master i shkencës, ‘Mjekësi veterinare’‘Pemëtari me Vreshtari’ në nivelin Master i shkencës, ‘Prodhimtaria bimore’, në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Shkencat e aplikuara në Zootekni’ në nivelin Master i shkencës, ‘Teknologji ushqimore me bioteknologji’ në nivelin Bachelor i shkencës. Si program i ri në këtë fakultet është akredituar‘Bujqësi urbane’ në nivelin Master i shkencës.

Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës

Në këtë program, Këshilli ka vendosur që t’ia tërheqë akreditimin e programit ‘Gjeodezi’ në nivelin Bachelor i shkencës.

Këtij fakulteti iu akredituan pesë programe, bëhet fjalë për programet ‘Arkitekturë’ në nivelin Master i shkencës, ‘Hidroteknikë’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Ndërtimtari’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës.

Fakulteti Ekonomik

Në Fakultetin Ekonomik nuk është akredituar programi i ‘Marketingut’ në tri nivelet.

Në këtë fakultet programi i cili u akreditua në tri nivelet Bachelor, Master dhe doktoratë është programi; ‘Banka, Financa dhe Kontabilitet’.

Programet e reja të këtij fakulteti janë ‘Ekonomi e Aplikuar dhe Menaxhment’ (gjuhë angleze) në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Ekonomiks’ (në gjuhën angleze) në nivelin Master i shkencës dhe doktoratë, ‘Kontabilitet’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Ekonomi’ në nivelin Master i shkencës, ‘Menaxhment’ në nivelin Bachelor i shkencës, Master i shkencës dhe doktoratë. Ndërkaq, programi ‘Economics’ në nivelin Bachelor u shty për t’u shqyrtuar në mbledhjen e 4 shkurtit 2019.

Fakulteti i Edukimit

Në Fakultetin e Edukimit janë tërhequr akreditimet për ‘Pedagogji e përgjithshme’ në nivelin Bachelor, ‘Programi fillor’ në nivelin Bachelor, ‘Programi parashkollor’ në nivelin Bachelor, ‘Udhëheqja në arsim’ në nivelin Master, ‘Edukim’ në nivelin doktoratë dhe ‘Edukim dhe zhvillim në fëmijërinë e hershme (0-3)’ në nivelin Bachelor.

KSHC akreditoi gjashtë programe të këtij fakulteti, duke filluar me programin ‘Master i edukimit inkluziv’, në nivelin Master, ‘Master i mësimdhënies lëndore’ në nivelin Master, ‘Master i pedagogjisë për shkolla profesionale’, në nivelin Master, ‘Mësimdhënia dhe kurrikulat’në nivelin Master, ‘Mësimdhënie në gjuhë dhe letërsi shqipe’ në nivelin Master profesional dhe ‘Pedagogji’ në nivelin Master i shkencës.

Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike

Njëra nga fakultetet që të gjitha programet janë akredituar është ai i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Tetë programe u akredituan nga KShC-ja në këtë fakultet, pra janë programet ‘Automatikë e kompjuterizuar dhe Robotikë’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Elektroenergjetikë’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Elektronikë’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Inxhinieri kompjuterike’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Telekomunikacion’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës.

Në këtë fakultet janë akredituar edhe programet e reja ‘Inxhinieri e Ambientit’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Gjeodezi’ në nivelin Master i shkencës dhe programi ‘Efiçienca e energjisë’ në nivelin Master profesional.

Fakulteti Juridik

Njëra nga programet bazike të juridikut E drejta kushtetuese dhe administrative’ në nivelin doktor i shkencës nuk është akredituar. Poashtu ‘E drejta financiare’ në doktoratë nuk ka kaluar filtrin e akreditimit.

Tetë programeve të Juridikut që KShC ua dha dritën e gjelbër për akreditim janë; ‘E drejta civile dhe pronësore’‘E drejta financiare’, ‘E drejta kushtetuese administrative’, ‘E drejta ndërkombëtare’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe doktoratë, ‘E drejta penale’, ‘Juridik’, ‘Kontrata dhe e drejta komerciale’.

Si programe të reja këtij fakulteti iu aprovuan, ‘E drejta Penale’ dhe ‘E drejta civile’ në nivelin e doktoratës.

Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore

Në FShMN të gjitha programet janë akredituar:‘Biologji’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Biologji e organizmave dhe ekologji’ në nivelin doktoratë, ‘Ekologji dhe mbrojtje e mjedisit’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Fizikë’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Gjeografi’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Kimi’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe doktoratë, ‘Kimi analitike dhe mjedis’ në nivelin Master i shkencës, ‘Kimi fizike dhe inorganike’ në nivelin Master i shkencës, ‘Kimi Inxhinierike’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Kimi organike’ në nivelin Master i shkencës, ‘Matematikë financiare në banka dhe sigurime’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Shkenca kompjuterike’ në nivelin Bachelor i shkencës.

Programe të reja për këtë fakultet KShC aprovoi ‘Biologji’ në nivelin Master i shkencës, si dhe programin ‘Matematikë’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës.

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike

Në këtë fakultet dy programe nuk kanë kaluar filtrin e akreditimit, ‘Inxhinieri industriale dhe menaxhment’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe ‘Komunikacion rrugor’ në nivelin Master i shkencës.

KShC akreditoi programet ‘Komunikacion dhe transport’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Mekatronikë’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës, ‘Prodhimtari dhe inxhinieri industriale me menaxhment’ në nivelin Master i shkencës, ‘Prodhimtari dhe automatizëm’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Termoenergjetika dhe energjia e Ripërtrishme’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe Master i shkencës.

Në këtë fakultet është akredituar programi i ri ‘Ndërtimi dhe mekanizmat’ në nivelin Bachelor i shkencës.

Fakulteti i Mjekësisë

Në Fakultetin e Mjekësisë programet që nuk janë akredituar janë ai i ‘Infermierisë’, Studime të doktoratës në Farmaci’ në nivelin doktoratë dhe‘Mami’ në nivelin Bachelor i shkencës.

Ndërsa janë akredituar dhjetë programe të këtij fakulteti në këto nivele; ‘Biomjekësi eksperimentale’ në nivelin doktoratë, ‘Edukim në kujdesin shëndetësor’ në nivelin Master i shkencës, ‘Farmaci’ në nivelin Master i integruar, ‘Fizioterapi’ në nivelin Bachelor i shkencës, ‘Mjekësi e përgjithshme’ në nivelin Doktor mjekësor, ‘Mjekësi klinike’ në nivelin e doktoratës, ‘Mjekësi paraklinike’ në nivelin e doktoratës, ‘Shëndeti publik’ në nivelin e doktoratës, ‘Stomatologji’ në nivelin e doktoratës dhe doktor dental.

Fakulteti Filologjik

Në Fakultetin Filologjik ka ndodhur një rast interesant ku niveli bazik për Gazetari nuk është akredituar ndërsa programi për Master ka marrë akreditimin. Në proces është refuzuar edhe programi Orientalistikë: Studime kulturore orientale’ në nivelin Master.

KShC vendosi që të akreditoi këto programe; ‘Gjuhë dhe letërsi angleze’në nivelin Bachelor dhe Master, ‘Gjuhë dhe letërsi frënge’ në nivelin Bachelor, ‘Gjuhë dhe letërsi gjermane’ në nivelin Bachelor dhe Master, ‘Gjuhë dhe letërsi turke’ në nivelin Bachelor, ‘Gjuhë shqipe’ në nivelin Bachelor dhe Master, ‘Gjuhësi’ në nivelin e doktoratës, ‘Letërsi’ në nivelin e doktoratës, ‘Letërsi shqipe’ në nivelin Bachelor dhe Master, ‘Orientalistikë’ në nivelin Bachelor.

Në këtë fakultet programet e reja që u akredituan janë; ‘Gazetari dhe marrëdhënie me publikun’ në nivelin Master, ‘Gjuhë dhe letërsi frënge’në nivelin Master, si dhe ‘Gjuhë dhe letërsi turke’ në nivelin Master.

Fakulteti Filozofik

Në Fakultetin Filozofik programet me numrin më të madh të studentëve nuk kanë kaluar filtrin e akreditimeve. Programet që s’u akredituan janë ‘Psikologji’ në nivelin Bachelor, dhe ‘Shkenca politike’ në nivelin Bachelor. Akreditimin nuk e ka kaluar as programi i Masterit për ‘Arkivist”.

KSHC akreditoi programet ‘Antropologji’ në nivelin Bachelor, ‘Filozofi’ në nivelin Bachelor dhe Master, ‘Histori’ në nivelin Bachelor dhe doktoratë, ‘Histori e kohës moderne’ në nivelin Master, ‘Integrime evropiane dhe administratë publike’ në nivelin Master, ‘Psikologji shkollore dhe këshillim’ në nivelin Master, ‘Punë sociale’ në nivelin Bachelor, ‘Sociologji’ në nivelin Bachelor dhe Master.

Në këtë fakultet janë aprovuar dy programe të reja të këtij fakulteti, bëhet fjalë për ‘Marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci’ në nivelin Master, si dhe ‘Psikologji komuniteti dhe klinike’ në nivelin Master.

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit

Programet që u akredituan janë ‘Edukim fizik dhe sport’ në nivelin Bachelor dhe Master, ‘Trajner sportiv’ në nivelin Master.

Fakulteti i Arteve – Të gjitha programet u shtynë për mbledhjen e ardhshme e cila do të mbahet me 4 shkurt.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë  në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim u mblodh në janar të këtij viti  për të vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private, e mes tyre edhe për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC akreditoi 98 programe studimore valide dhe i tërhoqi 13 të tjera UP-së, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, UP-ja kishte marrë dritën e gjelbër për 23 programe të reja, mirëpo iu refuzuan 11 të tjera.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, universiteti mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6 e cila thotë se “Nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Agjencia Kosovare për Akreditim, kishte vendosur që t’i japë edhe dy javë kohë, 41 profesorëve të UP-së të cilët kanë pasur probleme teknike për t’u bërë pjesë e sistemit online ‘e-Akreditimi’, përmes të cilit mund të gjenden të dhëna për stafin akademik të secilit universitet publik apo privat. AKA kishte njoftuar KShC-në se problem të tillë kanë pasur vetëm profesorët e UP-së.

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në këtë platformë sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

Shembull i tërheqjes së akreditimit si program studimor në UP është “Udhëheqja në Arsim”, në Fakultetin e Edukimit në nivelin Master dhe kjo për arsye se dy bartësit e këtij programi kishin doktoratë në fushën e ‘Historisë’ dhe ‘Psikologjisë’.

Shembull tjetër është edhe programi ‘Pedagogji e përgjithshme’ në nivelin Bachelor, të po të njëjtit fakultet, bartësit e të cilit kishin doktoratë në fushën e ‘Shkencave ekonomike’ dhe ‘Shkencave të sportit’.

Programit ‘Shkenca politike’ në Fakultetin Filozofik në nivelin Bachelor, i është tërhequr akreditimi për shkak se bartësit e këtij programi kishin doktoratë në fushën e ‘Historisë’ dhe ‘Filozofisë’.

Fakulteti i Edukimit është njëri ndër fakultetet me katër programe të paakredituara

Ndërsa fakultetet që në këtë proces të vlerësimit kanë hyrë dhe kanë dalur me të njëjtat programe, janë Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, si dhe Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore.

Këto vendime të KShC-së, shtyrën gjashtë rektorët e universiteteve publike që të dalin me një deklaratë të përbashkët, e mes tyre edhe rektori i UP-së Marjan Dema, të cilët kërkuan që të shkarkohen anëtarët e KShC-së dhe të shfuqizohen vendimet e tyre, me arsyetimin se KShC kishte favorizuar universitetet private në krahasim me ato publike, dhe se vendimet për tërheqje dhe refuzim të akreditimit kishin si prapavijë ‘politikën’ e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për mbylljen e universiteteve të reja publike.

Pas kësaj deklarate nga Konferenca e Rektorëve, KShC kishte reaguar ndaj tyre duke iu thënë se s’kishin plotësuar kriteret, andaj edhe kishin dhënë nga një shembull për secilin nga këto universitete se përse nuk iu ishin akredituar ato programe.

‘Lufta’ e rektorëve vazhdoi edhe më tutje në Komisionin parlamentar për Arsim në të cilin kërkuan që të plotësohen kërkesat e tyre, por nuk gjetën mirëkuptim.

Ky komision u takua edhe me KShC-në për të kërkuar sqarime rreth vendimeve të tyre, por anëtarët e KShC-së kërkuan që këto universitete të dërgojnë ankesa në Komisionin për Ankesa në AKA nëse mendojnë që janë bërë shkelje.

Pas takimit që patën KShC-ja me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ku ajo u ofroi mbështetje anëtarëve të Këshillit në vendimet e tyre, Konferenca e Rektorëve njoftoi se që nga 29 janari do të jenë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku mes tjerash shtuan edhe kërkesën për shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Përveç Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Këshillin Shtetëror të Cilësisë po e mbështetë edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell dhe ai i Gjermanisë, Christian Heldt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button