Moj Kosovë mos thuj mbarova!

Askush nuk e ka pritur se do të vijë dita kur Republika e Kosovës do të gjendet përpara një pikëpyetjeje të madhe: do të ekzistojë si shtet i pavarur, apo do të shndërrohet në vilajet serb, si dikur. As pesimistët më të mëdhenj nuk e kanë paramenduar mundësinë e ricopëtimit të Kosovës nga Serbia. As nihilistët më të sëmurë nuk e kanë pritur që pavarësia e Kosovës do  të rrezikohet nga prijësit e saj, madje nga ata që e shpallën shtet të pavarur dhe që e firmosën të parit (respekt përjashtimeve!) dokumentin historik të shtetit më të ri në Evropë.

Për hir të së vërtetës, janë dëgjuar me kohë zëra që kanë paralajmëruar se një klasë e korruptuar politike, një klasë prijësish të paaftë dhe shpirtshitur…, kanë kapacitet të mjaftueshëm për ta nxirë si mos më keq imazhin e Kosovës, tamam si të ishin ushtarë besnikë pashiqësh, të gatshëm për ta dëshmuar (kush e di për të satën herë!?) tezën serbe për paaftësinë e shqiptarëve për të ndërtuar dhe për të udhëhequr shtet.

Mjerisht, klasa e papërgjegjshme politike, në njërën anë dhe jeniçerët vullnetarë të vuçiqëve, në anën tjetër, i shndërruan favoret e Kosovës në disfavore të saj. Nëpërmjet propagandave të legenëve në shërbim të tjetrit, Ajo (Kosova) e humbi besimin e miqve dhe aleatëve të fuqishëm…; e zhbëri simpatinë e botës dhe e ktheu kahjen e saj në simpati ndaj pushtuesve serbë. Kështu, as masakrat gjenocidiste ndaj popullatës shqiptare; as mijera kufomat e pagjetura të civilëve; as varret masive me vëllezërit tanë fushave të Shumadisë; as krematoriumet e Trepçës për djegien e rinisë shqiptare; as mijëra vajzat dhe gratë e dhunuara; as autoktonia dhe e drejta jonë historike për të qenë zot në trojet stërgjyshore; as territoret e aneksuara me monstruozitete të papara në Evropën pasmesjetare, të dokumentuara nga vetë historiografia serbe; as kompromiset e dhembshme të Ahtisarit që e  bënë Kosovën torzo (asociacioni i komunave serbe në veri të vendit, eksterritoret e kishave dhe manastireve mesjetare të shpallura si prona serbe, lista e deputetëve serbë, të cilët nuk votojnë asnjë ligj pa u konsultuar paraprakisht me Beogradin…), nuk u valorizuan me Kosovën shtet me të gjitha nishanet e duhura, sepse në fronin e saj u ulën milionerët e rinj – ata që e shndërruan në treg plaçkash, ilaçesh dhe produktesh të dyshimta ushqimore të kompanive serbe. Milionat u bënë shkak edhe për shitje territoresh. Disa qindra hektarë pyje e ujëra “të parëndësishme” iu falën Malit të Zi, kurse tani së fundmi, nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli, Serbisë po i shitet Veriu i vendit bashkë me Trepçën e Ujmanin, bashkë me eksterritoret e tempujve fetarë të mesjetës, ku fqinjët e urtë të Kosovës do të hynë e do të dalin sa herë që do t’ua dojë kokrra e qejfit, gjersa ta rikthejnë statusin prej raje të shqiptarëve të mbetur peng prijësish multimilionerë.

Më e habitshme është e dhëna se esad-toptanizmi i sotëm po bëhet në emër të atdhedashurisë, po ndodh me përkrahjen e medieve të vërdhemta dhe pëllitjet e drejtuesve të tyre, të dëshmuar më shumë se një herë si kolona e pestë.

Kjo, pa dyshim, i ka mpirë dhe demoralizuar njerëzit (veçmas të rinjtë), të cilët më me dëshirë e braktisin përgjithmonë Atdheun e tyre, se sa të dalin të protestojnë e t’ua marrin pushtetin shitësve të interesave të shenjta kombëtare.

E mpirë është edhe klasa intelektuale, prandaj nuk ka të paktën një peticion emrash të shquar që do të diskreditonte armiqtë e brendshëm, që aktualisht rezultojnë dyfish më të rrezikshëm se ata të jashtmit…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button