Kombi mbi fenë!

Pikë e dobët e shqiptarëve është ajo se besojnë shpejt thuajse çdo gjë. Vetëm pak t’i marrësh me të mirë, të bësh një fytyrë engjëllore, një histori e trilluar ose fotografi e montuar dhe i mashtron lehtë fare, bien në grackë, siç kanë rënë në shumë raste që sot i tregon historia. Edhe në ditët e sotme lajkat dhe grackat e njerëzve dhe grupeve të ndryshme i hasim gjithkah, ndërsa këta mundohen që popullit t’i imponojë në mënyrë indirekte ideologjitë e tyre ose thënë më mirë t’i bëjnë si “vetja”.

Populli im, shqiptarët, tani në shekullin XXI në vend që më shumë t’i përkushtohen shkencës, artit e kulturës anojnë gjithnjë e më shumë nga religjioni. Një gjë çdoherë të habit, zakonisht shohim nëpër rrjete sociale njerëz të vrarë ose gjakosur e të shtrirë përdhe, ndërsa reagimet dhe komentet e shumicës janë: “free Palestina! (Palestina e lirë)”, “vdekje Izraelit!”, “këtë e kanë bërë amerikanët!”, e shumë thënie të tjera.

Ngadalë, të gjithë e dimë se çfarë bëhet nëpër botë dhe i dimë edhe marrëdhëniet e shtetit të Palestinës me Izraelitasit, por ti nga u sigurove se nga është personi në foto, apo ndoshta ka rënë tërmet diku, ndoshta aksident komunikacioni ose diçka tjetër. Malverzimet e fotoreporterëve janë të shpeshta, prerja dhe montimi i fotografive mund t’a humb mesazhin real të fotos dhe t’i japë asaj një pamje dhe kuptim tjetër, pse ne të jemi kaq naivë dhe të besojmë gjithçka që interneti na servon?! Tani nuk po i përkrahim as palestinezët e as izraelitët, por një absurditet tjetër të vret. 

Ne si shqiptarë jemi të ndarë në 5 shtete, vet punët tona nuk i kemi si duhet, me probleme nga më të ndryshmet që nga shkollat e deri në kuvend. Tani shtrohet pyetja çfarë na duhen neve punët e popujve nga Lindja kur vetë punët tona nuk i kemi në vend?! Epo ata janë vëllezërit dhe motrat tona, na bashkon feja ndërsa e dini se si disa shqiptarë e quajnë shqiptarin – shkja. Po është e vërtetë, “shqiptari” mysliman shqiptarin me fe krishtere e quan shkja (shka).  Pse?!  Po ky mban kryq! Ndërsa atë që është me mijëra kilometra larg, që s’i bashkon as gjaku e as kombi e ka vëlla, pse? Se është mysliman!

Njerëz, nuk do të thotë që një person që është me fe të njëjtë sikur tënden t’a duash më tepër se personin që e ke me të njëjtin nacionalitet. Në botë ka shumë të krishterë e mysliman, por përveç religjionit asgjë nuk na lidhë me ta. Neve shqiptarëve na lidhë gjaku e kombi, besa e tradita, po vazhduam t’i quajmë vëllezër e motra arabët e vatikanasit, e pati puna jonë. T’a kuptojmë njëherë e mirë se populli shqiptar ka tri religjione dhe nuk duhet të lejojmë që përkatësia fetare të vazhdojë e të na përçajë, jemi të gjithë një, nga vetë fakti se flasim një gjuhë e na bën hije një flamur.

Bashkëkombës, besimi dhe religjioni janë diçka shpirtërore dhe personale. Feja është pastrim i shpirtit nga preokupimet që kemi, fenë duhet t’a respektojmë por gabim shumë i madh është nëse ne nuk respektojmë dhe i ofendojmë religjionet tjera. Duhet ta kuptojmë dhe pranojmë se jetojmë në vende multifetare, si në Shqipëri, Kosovë ose Maqedoni dhe kjo nuk duhet të na pengojë që t’a duam dhe respektojme njëri-tjetrin, si shqiptarë që jemi duhet që të kemi mirëkuptim mes veti, t’i urojmë njëri tjetrit festat, kombëtare po se po, por edhe ato fetare se fundja asgjë nuk i kushton një të krishteri t’i urojë Bajramin një të fesë islame ose një mysliman ti urojë Pashkët një të krishteri.  

Në kohë kur shqiparët kanë qenë të sunduar dhe kur një shqiptar ka dhënë jetën për atdhe është thënë se vdiq si burrë për Shqypni dhe nuk kanë pyetur se ç’feje i takonte, ndërsa sot e dini se ç’hall kanë disa?; “vdiq si i krishterë”, “jo vdiq si musliman”; “jo ai shkon n’xhenet”, “jo ky në ferr”, ehh vaj halli për ne.

Shpresa
Rinia është dritë e ardhmërisë së popullit, ajo nesër do t’a udhëheqë atë dhe do të përgatisë gjenerata të reja. Rini shqiptare, rini e dashur shqiptare, ngado që të jeni, dijeni se nesër e ardhmja e kombit tonë do të jetë në duart tona. Dijeni se nga paragjykimet nuk përfitojmë asgjë, me patjetër duhet t’a duam njëri tjetrin, çfarëdo qofshim me religjion ne jemi vëllezër e motra, duhet t’i mbrojmë interesat tona të përbashkëta kombëtare, kurdoherë e kudoqofshim. Ne armikut ose kundërshtarit nuk mund t’i dalim duarzbrazur (kokëthatë), misioni ynë është mësimi dhe studimi në shkencë, art e histori, po po dhe atë nëpër insitucione të larta si rini e zjarrtë, sepse shtëpitë dhe birucat nuk na kanë hije. Rinia është ajo që më lehtë mund të devijojë, aq më shumë kur në çdo kënd mund të hasim njerëz që nuk na e duan të mirën, andaj mençuria dhe vigjilenca gjithmonë duhen të jenë në maksimum të aktivizuara. 

Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që dikush të na i shajë personalitetet e larta kombëtare, si Skenderbeun, Nënë Terezën, Pjetër Bogdanin e të tjerë heronj që kanë kontribuar për kombin tonë. Ne me anë të heronjve kemi arritur të mbijetojmë si popull dhe me emrin e tyre jemi identifikuar si komb shqiptar.  Ata nuk janë tradhtarë të shqiptarisë, duhet t’i nderojmë si figura kombëtare, krahas gjithë fjalëve të këqija që mund të fliten për ta, ne gjithnjë duhet t’i mendojmë gjërat më thellë e ti kemi parasysh situatat e mundshme në të cilat kanë qenë ata.

Nuk duhet ti fyejmë e të mos i duam heronjtë tanë, jo në këtë kohë kur dikush mundohet me të gjitha forcat të vjedhë e të krijojë histori e identitet, ndërsa neve që nuk na mungojnë historia e identiteti t’u japim shkelmin atyre e të pranojmë kultura tjera. Ne të gjithë mundemi që vetë të dallojmë të mirën nga e keqja, të njerëzishmen nga mëkati dhe nuk kemi pse të presim që dikush të na i tregojë, problemet e ndryshme që mund ti kemi mund ti zgjidhim me njerëz specialistë për ato probleme, në psikolog ose mjek, sepse prifti e hoxha s’mund të na bëjnë gjë, kuptojeni se me ujë nuk mund të kurohet një sëmundje. Besimin fetar duhet t’a ketë çdo njeri, të gjithë e dimë se është pastrim shpirtëror, por mos lejoni që trurin tuaj ta mbyllni në një kuti përtej së cilës nuk shihni asgjë, mos lejoni që t’ua zënë sytë me fasho të zezë sepse ka njerëz kompetentë për të u’a berë këtë gjë. Duhet besuar me masë sepse po kaluam në besim ekstrem do t’i bëjmë dëm si vetes po ashtu edhe shoqërisë.

I vetmi interes yni i përbashkët është interesi kombëtar, sikur një ditë të mundohet të na pushtojë dikush, ne bashkë duhet të mblidhemi e t’i bëjmë ballë kundërshtarit e atëherë nuk do të shohim se cilës fe i përkasim por duhet bërë tok për mbrojtje të atdheut. Luftë edhe tani kemi, por një lloj lufte të re, jo me zjarr e barut por me mendje, luftë përçarëse për të cilën u shkrua deri tani, duhet pasur kujdes që ndonjëri nga ne të mos bëhet viktimë e kësaj lufte dhe të bie në kurthe që grupe keqdashëse i’a ngrisin popullit tonë. Tolerancë dhe mirëkuptim në mes veti, këto janë dy gjëra që duhet t’i posedojmë e që vetëm me këto mund të ecim përpara drejt një shoqërie moderne dhe bashkëkohore. T’a duam njëri tjetrin, si vëllau-vëllanë, shqiptari-shqiptarin, se po nuk e deshëm kombin, gjuhën,historinë,  flamurin, gjakun e veten tonë atëherë të mos presim se dikush tjetër do të na dojë.

Besir Arifi

Lajme të ngjashme

Back to top button