Shkup, janë stërmbushur spitalet për shkak ndotjes së ajrit

Gjithnjë e më shumë fëmijë nuk i ndjekin mësimet, ndërsa në spitale nuk ka pothuajse asnjë shtrat të lirë për shkak të ndotjes jashtëzakonisht të madhe në Shkup, që konsiderohet kryeqyteti më i ndotur në Evropë, ka shkruar agjencia Frans pres, transmeton Dojçe Vele.

“Kjo nuk është më njerëzore”, tha Marina, një nënë e cila u detyrua të merrte dy muaj pushim pa pagesë për të qëndruar në spital me Davidin, djalin e saj 16-muajsh.

“Ai u lind i shëndetshëm. Nuk kishte asnjë problem. Dhe tani mbase do të përballet me astmë deri në fund të jetës”, thotë ajo për djalin e saj, i cili është në trajtim për astmë të rëndë të shkaktuar nga ajri helmues.

Davidi është një ndër më shumë se 100 fëmijë që trajtohen në Institutin e sëmundjeve të frymëmarrjes në Shkup. Pacienti më i vogël ka vetëm dy muaj. Shteti nuk ka të dhëna se sa fëmijë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të ndotjes.

Mjekët thonë se fëmijët dhe më të moshuarit janë më të ndjeshmit ndaj ajrit të ndotur – përzierje e ngrohjes së shtëpive, gazrave të automjeteve dhe industria e rëndë.

Masa të pamjaftueshme

Edhe gjeografia luan një rol. Shkupi është në luginë të rrethuar nga male të larta, prandaj smogu ndalet këtu më gjatë.

Për dy ditë rresht javën e kaluar, përqendrimi i grimcave PM10 ishte mbi 188 mikrogramë për metër kub – pothuajse katërfishi i kufirit të rekomanduar nga Organizata botërore e shëndetësisë.

Qeveria vendosi të shtyjë fillimin e vitit shkollor për dy ditë. Përveç kësaj, u ndaluan aktivitetet ndërtimore, ndërsa transporti publik ishte falas për të gjithë.

Por shumë banorë konsiderojnë se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të trajtuar problemin, as arsyet për këtë.

“Dy ditë anulim të mësimit në tre muaj ndotje ekstreme – mund të konsiderohet masë serioze vetëm në një univers tjetër”, thotë Dragi Zmijanac nga Megjashi.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me spitalet, me mësuesit në shkolla dhe ky është problemi numër një në Maqedoni”, shton ai.

Ngrohja me drunj dhe industria e rëndë janë ndotësit më të mëdhenj në Shkup

Mazedonien Skopje Smog (DW/Petr Stojanovski)
Ngrohja me drunj dhe industria e rëndë janë ndotësit më të mëdhenj në Shkup

Nuk ka shtretër të lirë në spitale

Ndërkohë, spitalet kanë mbetur pa shtretër të lirë për shkak të fluksit të pacientëve me probleme të frymëmarrjes, thotë Dejan Dokiç, drejtor i Klinikës për pulmologji.

“Situata nuk është e mirë. Në klinikë s’kemi më shtretër të lirë, disa pacientë trajtohen në ambulanca, “tha Dokiç për AFP.

Qeveria maqedonase konsideron se ngrohja me drunj dhe materiale tjera helmuese është shkaku kryesor i smogut dhe se kjo kontribuon me  rreth një të tretën e shkarkimeve toksike.

Por kritikët thonë se pas këtyre shifrave fshihet planifikimi i keq i qytetit dhe varfëria e përhapur.

Sipas një sondazhi të UNDP-së të kryer në 5,044 shtëpi, më shumë se një e treta e banorëve në qendër të qytetit i ngrohin shtëpitë e tyre me dru, shumica e të cilave janë joefikase dhe ndotin shumë. Një e treta e dytë e të anketuarve pranojnë se ata ose fqinjët e tyre përdorin materiale të rrezikshme që i gjejnë në vendet e ndërtimit ose në vende të mbeturinave, siç janë gomat ose plehrat plastike.

“Njerëzit mendojnë që për shkak se përdorim dru për ngrohje gjatë dimrit, nuk kemi vetëdije për mjedisin jetësor, se ne jemi të egër”, thotë Vellko Trajçev, punëtor ndërtimi nga një lagje në Shkup.

Panoramë e rregullt dimërore e Shkupit

Mazedonien Luftverschmutzung in Skopje (Reuters/O. Teofilovski)
Panoramë e rregullt dimërore e Shkupit

Drunjtë si shpëtimi i vetëm

“Kjo s’është e vërtetë. Thjesht s’kemi mundësi tjetër për të mbijetuar”. Trajçev është vejan me pagë mujore prej 150 euro i cili kujdeset për dy fëmijë dhe të atin.

“Nuk mund ta përballoj ngrohjen e shtëpisë. Ndonjëherë nuk mund të blej as  ushqim ose të paguaj faturat. Unë nuk mund të përballoj të investoj në pajisje ekologjike. Jam i detyruar të ngrohem me dru”.

Zëvendësministri i mjedisit jetësor Jani Makraduli e fajëson qeverinë e mëparshme për situatën e tillë. “Ne e kemi trashëguar këtë situatë dhe tani po fillojmë nga zeroja”,thotë ai.

Qeveria ka hartuar plan për të ulur ndotjen me gjysmë në dy vitet e ardhshme. Një pjesë e atij plani parasheh ndërtim të rrjetit të gazsjellësit për ngrohje të shtëpive në vend se të përdoret drurit ose qymyri.

Por aktivistët e mjedisit paralajmërojnë se, për të zgjidhur problemin, do të duhet të ndalen edhe shumë biznese të parregulluara.

“Shkupi është qytet në të cilin ka fabrika për metale të rënda dhe industri kimike që, në plotë kuptimin e fjalës, janë në qytet”, thotë Tatjana Grozdanovska nga Stop ndotjes së ajrit.

“Njëkohësisht ka qindra centrale dhe punëtori të vogla që djegin naftë ose goma … Nuk shohim se inspekcioni po ndërmerr ndonjë gjë për këtë problem.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button