Moska zyrtare: Maduro ka arsye të brengoset për sigurinë e tij

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka arsye të plotë të jetë i shqetësuar për sigurinë e tij, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, raporton Anadolu Agency (AA).

“Lidhur me deklaratën e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, se është i shqetësuar për sigurinë e tij, si të mos jetë kur përfaqësuesit e strukturave të sigurisë amerikane thonë në mënyrë të hapur se ai duhet të zëvendësohet, se nuk e njohin imunitetin e tij presidencial as statusin e tij”, tha Zakharova në një konferencë për media në Moskë.

Sipas saj, rreziku nga një ndërhyrjeje ushtarake në Venezuelë mbetet në fuqi dhe nëse do të ndodhte kjo do të rezultojë me një krizë humanitare dhe migracion.

Zakharova shtoi më tej se sanksionet e reja kundër sektorit të naftës në Venezuelë mund të çojnë në një katastrofë ekologjike, pasi është e pamundur që brenda 24 orësh të ndalet prodhimi i naftës.

Një ditë më herët, presidenti i Venezuelës, Maduro, deklaroi se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka urdhëruar vrasjen e tij.

“Nëse diçka ndodh me mua, atëherë përgjegjës do të jenë presidenti amerikan Trump dhe presidenti i Republikës së Kolumbisë, Ivan Duque”, tha Maduro në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve RIA.

Venezuela është përfshirë nga protestat që nga 10 janari kur presidenti Maduro u betua për një mandat të dytë pas bojkotimit të zgjedhjeve nga opozita.

Javën e kaluar, Juan Guaido, udhëheqësi i Asamblesë Kombëtare të udhëhequr nga opozita, u shpall president dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare.

Pas demonstratave dhe trazirave në Venezuelë, të paktën 268 protestues janë arrestuar që nga 21 janari në të gjithë vendin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button