fbpx

Maqedoni, pas trysnisë së Ambasadës së Turqisë, gazeta “Zaman” do t’ia kthejë paratë Qeverisë (VIDEO)

Reagime të shumta ka shkaktuar ndihma financiare që i ka dhënë Qeveria e Maqedonisë, gazetës “Zaman Maqedoni” e cila nga Turqia llogaritet të jetë e afërt me klerikun Fetullah Gulen, i akuzuar për grusht-shtetin e vitit 2016 kundër presidentit Taip Erdogan. Ambasada e Turqisë kërkoi nga Qeveria ta tërheq vendimin se me këtë, sipas tyre, po e “financon” terrorizmin. SHGM e dënoi reagimin e Ambasadës, ndërkaq Zaman hoqi dorë nga ndihma financiare për “të mos jenë shkak i tensioneve Maqedoni-Turqi, Qeveria e përshëndeti këtë vendim”, njofton Portalb.mk.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e dënon reagimin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, e cila sipas tyre ka bërë linç ndaj jobashkëmendimtarëve.

“Për një gazetë e cila ekziston afër 25 vite në Maqedoni të thuhet se është buletin terroristik i ndonjë organizate, paraqet thirrje skandaloze për linç ndaj jobashkëmendimtarëve. Presim edhe nga institucionet tjera shtetërore të dënojnë këtë akt i cili është në drejtim të mbytjes së mendimit të lirë. Inkurajojmë kolegët tanë nga “Zaman-Maqedoni” të vazhdojnë me punën e tyre dhe iu ofrojmë mbështetje të mëtutjeshme në drejtim të informimit të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për shtypjet me të cilët po ballafaqohen gjatë punës së tyre në Maqedoni”, thonë nga SHGM.

Reagimi i Ambasadës së Turqisë në Shkup vijoi pasi që u publikua informata se gazeta “Zaman-Maqedoni” ka fituar ndihmë financiare nga Qeveria në kuadër të projektit për mbështetje të mediave të shkruara.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka publikuar një listë të mediumeve të shkruara të cilave u ka ndarë mbështetje financiare, ndër të cilat gjendet edhe gazeta “Zaman Maqedoni” e lidhur me organizatën terroriste FETO, përgjegjëse për tentativën e dështuar për grusht shteti në Turqi, të cilës i janë ndarë 14 mijë euro. E konsiderojmë vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për të ndarë mbështetje financiare për gazetën e FETO-s si skandaloz dhe të papranueshëm. Presim që Qeveria e Maqedonisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të marrë në konsideratë marrëdhëniet e gjata miqësore midis dy vendeve dhe dy popujve”, reagoi Ambasada e Turqisë në Shkup.

Protestë kundër “Zamanit”

Pas këtij reagimi, dje përpara Ambasadës në Shkup është organizuar dhe protestë në shenjë revolte ndaj ndihmës financiare që i është dhënë gazetës “Zaman”.

Në protestë morën pjesë ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tulin Erkal Kara, ministri pa resor në qeverinë e Maqedonisë, Elvin Hasan, kryetari i Partisë së Lëvizjes Turke (THP) në Maqedoni dhe njëherësh deputet në Kuvendin e Maqedonisë, Enes Ibrahim, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Maqedonisë (TDP), Bejxhan Ilyas, kryetari i Lëvizjes së Unitetit Kombëtar Turk (TMBH) Erdogan Saraç, Kryetari i Partisë së Bashkuar për Emancipimin e Romëve (OPER), Nexhdet Mustafa, kryetari i Unionit Demokratik të Boshnjakëve, Munir Kolashinac, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe qytetarë.

Ambasadorja turke Kara, në fjalimin e saj gjatë protestës, rikujtoi se më 15 korrik 2016 është kryer, sipas saj, një tentativë e neveritshme për grusht shteti ndaj presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan, i cili siç tha ajo, ka ardhur në detyrë me vullnetin e popullit, demokracisë, qeverisë dhe kushtetutës turke.

“Nuk pranojmë, nuk do të pranojmë mbështetjen financiare të qeverisë së Maqedonisë ndaj organizatës me pamje të një gazete, të organizatës terroriste FETO e cila ka martirizuar 251 shtetas dhe ka plagosur mbi dy mijë shtetas tanë. Shpërfillja e financimit të organizatës terroriste gjakatare do të thotë të shpërfillësh bombardimin e polices së operacioneve speciale Demet Sezen, në atë natë të errët, e cila u martirizua në Golbashı dhe e la të vetëm fëmijën trevjeçar. Shpërfillja e veprimeve të buletinit terrorist të FETO-s, Zaman, do të thotë shpërfillje e vrasësve të 17-vjeçarit Abdullah Tayyip Olçok, i cili së bashku me babain ishte shënjestër e snajperistëve mbi urë”, tha ajo.

Ambasadorja Kara, në protestë e rikonfirmoi kërkesën e saj që të tërhiqet ky vendim.

“Zaman” hoqi dorë nga ndihma financiare e Qeverisë

Ggazeta “Zaman” mbrëmë ka njoftuar ka njoftuar se vullnetarisht tërhiqet nga ndihma e Qeverisë.

“Pas një fushate të paparë të linçimit ndaj gazetës tonë, ne si gazetë morëm vendim të njëanshëm që të heqim dorë dhe të kthejmë ndihmën financiare që kishte paraparë Qeveria e Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e gazetës të cilët shtojnë se për shkak politikës redaktuese të tyre, nuk duan të bëhen shkas për zgjerimin e tensioneve mes dy shteteve miq, Maqedonisë dhe Turqisë.

Ata i hedhin poshtë akuzat e Ambasadës së Turqisë në Shkup.

“Me shumë keqardhje i kemi pranuar deklaratat e pabaza të Ambasadës së Turqisë për ndihmën që morri gazeta Zaman Maqedoni, e cila gati se 25 vjet funksionon në Maqedoni në dy gjuhë edhe atë në dy gjuhë, turqisht dhe maqedonisht. Duke marrë 15 Korrikun dhe përpjekjen për grusht shtet me plotë pikëpyetje si pretekst, përpjekjet për ta linçuar gazetën Zaman Maqedoni nuk janë asgjë tjetër përveç se një gjendjeje çmendurie. Teoritë e Qeverisë turke për përpjekjen e grusht shtetit nuk është pranuar nga ana e asnjë Gjykate të Pavarur Ndërkombëtare, dhe hetimi i së njëjtës nga ana e një Komisioni Ndërkombëtarë vazhdimisht është refuzuar. Përpjekja për linçimin e gazetës Zaman Maqedoni, e cila nuk ka asnjë lidhje logjike me grushtin e shtetit në Turqi tregon qartë se pafajësinë e mijëra njerëzve që sot gjenden nëpër burgjet e Turqisë”, thuhet në njoftimin e Zaman Maqedoni.

Gazeta “Zaman” para ca ditësh mori ndihmë financiare për shpërndarje të gazetave me vlerë prej 903.092 denarë.

Qeveria shkurt ka dërguar një kumtesë në të cilën thotë se “e respekton vendimin e gazetës Zaman” dhe se do të ngelen të përkushtuar për mbështetjen e mediave të lira dhe shprehjen e lirë të qytetarëve.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close