Bota materialiste dhe bota spirtuale  (I)

Filozofi dhe politikologu amerikan Samuel P. Huntington, në veprën e tij Përplasja e qytetërimeve (The Clash of Civilizations) ekzaminon dhe shtjellon të gjithë qytetërimet. Ai përmend se prej 17 apo 15 qytetërimeve që gjithsej ka pasur në 50 shekujt (5000 vjetshin) e gjithë epokave të njerëzimit – në fund kanë ngelur vetëm 4 qytetërime:

  1. Qytetërimi i krishterë-perëndimor;
  2. Qytetërimi i Lindjes-islam;
  3. Qytetërimi hindus; dhe:
  4. Qytetërimi konfuçist-budist, si dhe nën-qytetërimi japonez.

Bota tashmë është e ndarë në dy pole, në:

  1. Botën spirituale (shpirtërore); dhe:
  2. Botën materialiste.

Kjo e dyta, bota materialiste është bota perëndimore post-shekullare, post-moderniste dhe post-materialiste. Tri qytetërimet e fundit i përkasin botës spirituale, ndërsa dy qytetërimet dhe religjionet hinduizmi sik dhe konfuçianizmi budist nuk janë fé, por më shumë janë doktrina dhe filozofi, gjegjësisht religjione politeiste.

Bota islame ka spiritualen hyjnore, është fe monoteiste, ndërsa bota lindore: Lindja e Mesme dhe Lindja e Largët kryesisht janë shtete shumica të pazhvilluara. Mbi 5% të popullatës jetojnë me 1 $ për kokë të banorit në ditë, janë popullatë e re dhe kanë natalitet të lartë, si dhe janë shoqëri tradicionale patriarkale arkaike. Vlen të theksohet se kjo botë ka lindje të lartë, shumë pak divorce, sëmundje psikike-neurotike dhe vetëvrasje në krahasim me botën perëndimore. Lindja beson më shumë në spiritualen, dogmat e ndryshme, blasfemi, idiolatri dhe kulte. Pjesa dërrmuese janë adhurues të monarkëve, mbretërve dhe liderëve. Mbretërit dhe liderët janë kult individi. Kështu për shembull, monarku i Tajlandës është kult, idol dhe konsiderohet i shenjtë e hyjnor. Nga ky sindrom janë të prekur edhe popujt e Ballkanit. Ballkanasit janë një hap me Lindjen – një hap me Perëndimin. Ai zien në një kazan mes spirituales dhe materiales: Konsumon hamburger të prodhimit perëndimor dhe döner lindor, përkatësisht kek perëndimor dhe bakllava lindore.

Bota perëndimore si shoqëri shekullare ngaherë është shkëputur nga spiritualiteti dhe më së shumti adhuron materien. Kulti dhe etika e shpirtit perëndimor është puna. Duke filluar nga  faza e parë e historisë së njerëzimit – e deri më sot – gjithë regjimet dhe qeverisjet që ka shpikur njerëzimi, nuk i kanë sjellë kënaqësi dhe lumturi atij, përkundrazi…

Winston Churchill në fazën e tij të mëvonshme të mendimit politik thotë se demokracia si qeverisje është më pak e keqe se qeverisjet despotike autoritare dhe totalitare. Sot, as vetë bota perëndimore e cila shpiku një ndër sistemet dhe qeverisjet më të mira – nuk është e kënaqur dhe e lumtur. Gjithashtu edhe bota lindore jeton në varfëri. Paradoksi i botës perëndimore është se kultura uesternizuese e ka zhveshur njeriun post-modern. Ai vuan nga kriza e identitetit, vetmia, tëhuajësimi, jeta boshe, izolimi nga grupet, fisi, familja dhe inferioriteti. Njeriu post-modern nga dita e hënë deri ditën e premte në mbrëmje jeton si në fermën e shpezëve. Ai jeton në ambiente të mbyllura, të shumtën e kohës ulur, gjithë ditën mbi kompjuter, pa shkëmbyer dhe folur asnjë fjalë me kolegët dhe shokët e punës. Në mbrëmje kthehet i stresuar dhe shkon në palestër, joga, vrapim ose pishinë. Sfidat e shoqërisë post-moderne në Perëndim si prioritet dhe shqetësim kanë heqjen e mbipeshës, gjetjen e një vend parkingu dhe eksplorimin e ofertave të agjencive turistike se ku të shkojë t’i kalojë pushimet.

Njeriu post-modern i zhveshur nga spiritualiteti është shndërruar në Homo productis dhe Homo consumus. Popujt perëndimorë janë popuj të vjetër në moshë (plakur). Një nga sfidat dhe krizat më të mëdha që sot ka bota perëndimore padyshim është kriza e moralit (moral crisis), siç është rënia e natalitetit, pasioni pas karrierës, divorci, droga, prostitucioni, etj. Një nga krizat dhe shqetësimet më të mëdha të shoqërisë perëndimore është kriza e identitetit, anti-vlerave dhe degjenerimi brenda familjes. Një e treta e popullatës janë beqarë dhe të pamartuar, kanë partner dhe nuk trashëgojnë pasardhës. Njëherë një mikun tim zviceran që banon në të njëjtin pallat ku banoj dhe unë, i cili bashkë me partneren e tij, të ardhurat vjetore i ka mbi 150.000 CHF, duke pirë kafe në një restorant e pyeta në shaka se përse nuk martohet? Ai më buzëqeshi duke thënë se shkaku që nuk martohemi është mos pasja e kohës. S’do mend se jemi shndërruar në qenie egoiste (vetjake).

Shkruan: Merxhan Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button