Asgjë s’ka përfunduar, thotë Joveski dhe pret sinjal nga Katica për të vazhduar hetimet e PSP-së

Vendimi i Gjykatës Supreme në seancën e përgjithshme për të kontestuar hetimet e filluara dhe të përfunduara të Prokurorisë Speciale Publike , e ka kthyer sundimin e ligjit 10 vjet prapa, tha prokurori publik Ljubomir Joveski. Ai në një deklaratë për SAKAMDAKAZHAM.MK thotë se asgjë s’ka përfunduar me hetimet e PSP-së që Gjykata Supreme dëshiron t’i ndalë, transmeton Portalb.mk.

Joveski thotë se pret veprim nga prokurorja speciale Katica Janeva për fatin e hetimeve të kontestuara, ndër të cilëve janë “Perandoria” me Orce Kamçev dhe Sasho Mijallkov,  “Aktor” me Nikolla Gruevskin, “Regjistrimi” me Ali Ahmetin, “Pacienti” me Bujar Osmanin,  “i Pushtetshmi” me Antonio Milloshoski, hetimi për projektin “Shkupi 2014”, “Talir” për financimin e paligjshëm të VMRO DPMNE-së …

“Prokurori publik i Maqedonisë, sipas ligjit për Prokurorinë speciale, nuk ka autoritet të ndërhyjë në punën e PPS-së. Asgjë s’ka përfunduar me hetimet e tyre. Përkundrazi. Jemi duke e pritur veprimin e Prokurorisë speciale, të drejtohet tek ne, t’i ulim ekipet për të hapur një nga një lëndët e hetimeve që ata i kanë hapur, për të parë se deri ku kanë arritur, a janë mbledhur dhe sa prova janë mbledhur dhe të vendosim cilat nga ato lëndë mund t’i merr përsipër Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, pa materialet e përgjuara. Por, përsëris se çështja duhet të ngrihet nga Prokuroria speciale, e jo Prokuroria publike e Maqedonisë”, thotë Joveski.

Për të, vendimi i Gjykatës Supreme është anti-reformues dhe s’ka fare të bëjë me sundimin e ligjit. Thotë se Gjykata Supreme nuk duhet të veprojë sipas iniciativave të qytetarëve dhe të interpretojë ligje ose nene të ligjeve. Kjo çështje i takon Kuvendit të Maqedonisë.

“Gjykata Supreme mund të ndërmerr qëndrim parimor kur ka praktikë të ndryshme gjyqësore lidhur me aplikimin e ndonjë neni të ligjit, ndërsa këtu s’ka praktikë të ndryshme gjyqësore, lëndët e PPS-së i gjykon një gjykatë, Gjykata Themelore Shkup 1, sipas praktikës unike gjyqësore. Kurrsesi nuk duhet të diskutohet dhe të ndërmerren qëndrime parimore ose mendime në bazë të nismave të qytetarëve. Për këtë arsye, unë nuk jam i sigurt se gjyqtarët e Gjykatës Themelore Shkup 1, dhe Gjykata e Apelit do ta marrin si të detyrueshëm mendimin që dje, jashtë kompetencave, e votuan gjykatësit suprem”, thotë Prokurori i përgjithshëm Lubomir Joveski.

Gjykata Supreme, pa diskutuar në seancën e djeshme, në bazë zë ankesës nga Boro Tasevski dhe Elenko Millanov, të dy avokatë të të akuzuarve dhe të të dyshuarve në lëndët e PPS-së, vendosi se pas kalimit të 18 muajve nga pranimi i bombave (e kjo datë është 30 qershori, 2017), Prokuroria publike speciale s’ka guxuar as të ngritë hetime autentike të vetat, ose të reja, e as të ndërmerr hetime nga prokuroria e rregullt, që kanë qëndruar në sirtarë, duke i ndërlidhur ato thjeshtë me bisedat e përgjuara.

Në PPS mbizotëron zhgënjim me vendimet e rrezikshme të pushtetit më të lartë gjyqësor.

“Së pari na lanë të punojmë për dy vite që në fund të na thonë se në fakt nuk është dashur të punojmë”, thonë prokurorët në PSP-së.

Janeva ende nuk e ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme për të ndaluar të gjitha hetimet e iniciuara në bazë të aktakuzave të ngritura më 30 qershor 2017.

Më 11 janar, në një brifing me gazetarët ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se LSDM-ja vetë nuk mund të rregullojë dhe të miratojë statusin e PSP-së. Ajo tha se pika e fërkimit në negociatat partiake, për statusin e PPS-së, janë bombat dhe çfarë do të ndodhë me hetimet e PSP-së pas kalimit të 18 muajve. Atëherë nuk zbuloi se cila ishte partia, që së bashku me VMRO-DPMNE e bllokonte punën dhe ligjin e ri për PSP-në. Në vend të Kuvendit, ishin kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani ata që e shpëtonin dje Gjykatën Supreme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button