Drejtësi nuk do të ketë

Gjithnjë e më tepër bëhet e qartë që marrëveshja politike për të gjitha gjërat me rëndësi që duhet të ndodhin në këtë shtet është që të mos ketë bartje të përgjegjësisë penale. Rreth këtij strumbullari rrotullohen të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësi. Sepse reformat nuk bëhen vetëm në letër. Ne mund të krijojmë ligje nga më të mirat, mund të pranojmë për to mendime nga më pozitivet nga Komisioni i Venecias, por megjithatë, nuk besoj se qëllimi i shumë njerëzve që kërkuan drejtësi në vitet e kaluara ishte që të shkruajmë ligje më të mira. Qëllimi ishte t’i shohim ato ligje të zbatohen. Qëllimi ishte ta shohim Prokurorinë Speciale të përmbyllë rastet e saj dhe të dëshmojë se kush dhe për çfarë arsye përgjoi në mënyrë të paligjshme më shumë se 20.000 qytetarë dhe gjatë këtij procesi kreu edhe shumë vepra tjera penale.

Gjykata Supreme dje solli një vendim që më shumë u ngjan vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ose interpretimeve autentike të Kuvendit. Në seancë të përgjithshme kjo gjykatë vendosi me një shumicë gati absolute që Prokuroria Speciale nuk ka të drejtë të hetoje raste të tjera pas kalimit të afatit prej 18 muajsh nga dita e pranimit të materialeve të përgjuara. Disa herë e kemi diskutuar faktin që neni 22 i Ligjit për prokurorinë speciale që përcakton afatin prej 18 muajsh për të ngritur aktakuza për të gjitha materialet që kjo Prokurori i ka pranuar është tërësisht problematik, joreal dhe kundërkushtetues. Kur bëhet fjalë për ndjekjen penale, afatet e vendosura në ligje janë fakultative dhe jo prekluzive. Nëse afati i paraparë për ndjekje kalon ndërsa ka prova se është kryer vepër penale, atëherë në bazë të parimit të legalitetit prokurori, qoftë special qoftë i rregullt, ka për detyrë të ndjekë rastin dhe nuk ka afat që atë e ndalon ta bëjë këtë. Por ja që Gjykata Supreme nuk e ndan këtë mendim dhe prandaj e solli vendimin e djeshëm.

Problemi kryesor është se lidhur me këtë rast dhe këtë nen të Ligjit për Prokurorinë speciale duhej të jepet interpretim autentik. Kuvendi, si sjellës i ligjit duhej të interpretojë këtë nen si institucion kompetent për të interpretuar ligjet që i sjell. Për më tepër, për aspektet kundërkushtetuese të këtij neni, duhej të prononcohet Gjykata Kushtetuese dhe jo Gjykata Supreme. Edhe Prokurori Shtetëror Joveski theksoi që Gjykata Supreme nuk ka të drejtë të sjellë një interpretim të këtillë, por e njëjta duhet të zgjidhë rastet konkrete që vijnë para saj. Njëherit, dua të theksoj se sipas Ligjit për Gjykata, Gjykata supreme ka të drejtë të sjellë qëndrime parimore në bazë të iniciativave të avokatëve, por qëllimi i këtij neni është të harmonizohet praktika gjyqësore për raste konkrete dhe jo të ndërhyhet në kompetencat e institucioneve tjera. Lidhur me kompetencat e Prokurorisë speciale të parapara me Ligjin e sjellë për të, mund të vendosë vetëm Kuvendi me interpretim autentik ose Gjykata Kushtetuese për çështje të kushtetutshmërisë.

Por si duket, marrëveshja politike ka qenë që kjo punë të ndodhë në Gjykatën Supreme, dhe fajin kryesor ta bartë Jovo Vangellovski, si relikt i regjimit të kaluar në krye të asaj gjykate. Por kur të shikohet shumica gati absolute me të cilin u soll ky vendim është më se e qartë që kjo nuk është punë vetëm e Vangellovskit por shkon më larg se kaq.

Me këtë akt pamundësohet që Prokuroria Speciale të hetojë me tej rastet si “Perandoria”, “Pacienti”, “Rregjistrimi i popullatës”, dhe të tjera. Për momentin, të involvuarit në këto raste mund të marrin frymë lirshëm, deri sa të njëjtat nuk do të kalojnë në Prokurorinë e rregullt themelore. Nëse ajo marrëveshje politike e përmendur pak më lartë vërtet ka ndodhur, atëherë vështirë se këto raste vërtet do të përmbyllen me një vendim të drejtë gjyqësor. Që tani dëgjoj fjalë se edhe nëse kalojnë këto raste në prokurorinë e rregullt, për ato raste “bombat” nuk mund të përdoren si dëshmi. Sepse kompetencë ekskluzive t’i përdorë “bombat” si dëshmi paska vetëm Prokuroria Speciale! Kjo është gjëja më absurde që kam dëgjuar! Me vendim të Gjykatës së Apelit dhe sipas gjithë praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, materialet e përgjuara në mënyrë të paligjshme janë dëshmi në procedurë penal, pa marë parasyshë se cila prokurori i propozon ato, një prokurori e rregullt apo një speciale. Nuk mundet i njëjti material të jetë dëshmi sipas njërës prokurori dhe të mos jetë i tillë sipas tjetrës. Por është e qartë që këto konfuzione krijohen me qëllim që të pamundësohet përdorimi i “bombave” aty ku ato janë dëshmitë kryesore që i lidhin veprimet e caktuara me bisedat telefonike të përgjuara ilegalisht.

Kështu që në fund vijmë sërish tek ajo marrëveshje politike që përcakton se për rastet “Perandoria”, “Pacient” dhe “Regjistrim i popullatës” përgjegjësi sipas të gjitha gjasave nuk do të mbahet. Kur kësaj ia shtoni faktin që Gruevski u arratis ndërsa rasti kryesor i Prokurorisë Speciale “Target” ku Mijallkov është i akuzuari kryesor ende nuk tregon asnjë përparim, ndërsa për rastin e 27 Prillit kishte Ligj për amnisti, bëhet më se e qartë që funksionarët e lartë shtetërorë, as nga pushteti i kaluar e as nga kjo përbërje e pushtetit, nuk do të mbajnë përgjegjësi në një të ardhme të afërt.

Drejtësi, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ketë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button