Danielson: Pas Marrëveshjes së Prespës, vendoseni fokusin te reformat – jo te zgjedhjet

“Momenti pozitiv që është krijuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës duhet që të mirëmbahet dhe ruhet. Fokusi duhet të drejtohet nga reformat përpara qershorit kur Këshilli i BE-së do të vendosë për hapjen e bisedimeve hyrëse. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta marrin atë fokus dhe energjinë e nevojshme”, porositi Kristijan Danielson, drejtori i Drejtorisë për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerimin e Komisionit Evropian, në konferencën e sotme për shtyp në BE-Infoqednër në Shkup, njofton Portalb.mk.

Ai theksoi se ajo është theksuar edhe në konkluzat e Këshillit të BE-së në vitin e kaluar i cili e tregoi rrugën për fillimin e bisedimeve hyrëse.

“Fokusi duhet që të jetë në dhënien e rezultateve. Atje duhet të drejtohen përpjekjet. Besoj se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta marrin atë fokus dhe nuk do të keni mundësi që ta jepni energjinë e duhur me qëllim që të adresohen çështjet e tjera të hapura. Këtu flasim për reformat në gjyqësor, luftën me korrupsionin dhe krimin e organizuar, reformat në shërbimet e sigurisë dhe funksionimin e administratës publike”, theksoi Danielson.

Ai shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për ligjvënësin, por duhet që të shihet edhe zbatimi i ligjeve.

Daniellson gjithashtu nënvizoi se këto porosi ua ka transmetuar të gjithë bashkëfolësve të tij gjatë vizitës së tij dyditore në Shkup dhe se kanë të bëjnë edhe me pushtetin, por edhe me opozitën.

Paraprakisht, Daniellson sot është takuar me kryeministrin Zoran Zaev, ndërkaq pas takimit tet-a-tet është mbajtur takim i përbashkët me kabinetin e kryeministrit në të cilin kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançeski dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov.

Kristijan Danielson në takim me kabinetin e Zaevit, foto: Borçe Popovski "Kolektif"
Kristijan Danielson në takim me kabinetin e Zaevit, foto: Borçe Popovski “Kolektif”

Zaev gjatë takimit ka theksuar se për vendin tonë, mbështetja e Komisionit Evropian, institucioneve të Bashkimit Evropian, vendeve anëtare të BE-së, të fqinjëve dhe shumë liderë tjerë, ka qenë kyçe që në mënyrë të fuqishme të hapërojmë përpara dhe Maqedonia të kthehet në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Për Maqedoninë, viti 2018 ishte vit me rëndësi historike, për zgjidhjen përfundimtare të kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Paralelisht me këtë proces, Qeveria ka punuar në reformat kyçe në fushat në të cilat Këshilli i Evropës ka theksuar se duhen reforma, si kusht për fillim efektiv të bisedimeve hyrëse me BE-në për në qershor të vitit 2019-të, gjegjësisht reformat në gjyqësor, në shërbimet e sigurisë dhe kundërzbulimit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe reformat në administratën publike. Maqedonia ka bërë avancim të jashtëzakonshëm dhe ka ndërmarrë hapa të guximshëm dhe fillimi i bisedimeve hyrëse me BE-në në qershor të vitit 2019-të do të dërgojë sinjal të fuqishëm deri te Rajoni i Ballkanit Perëndimor, se procesi për hyrje edhe më tej është i bazuar në merita dhe rezultate – nëse vendi kandidat dërgon, atëherë edhe BE e kthen të njëjtën”, theksoi Zaev.

Ai gjithashtu informoi se tanimë nëntë kapituj nga procesi negociues janë të përfshira dhe të kaluara nëpërmjet takimeve të përbashkëta sqaruese me Komisionin Evropian, dhe se në këtë fazë jep përgatitje të rëndësishme për bisedimet të cilat do jenë në vijim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button