5 vite për autostradën Shkup-Bllacë: Qytetarët të habitur me realizuesit, sipërmarrësit kërkojnë të shkurtohet afati

Paralajmërimi për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në dy faza dhe në kohëzgjatje prej 54 muaj ka ngjallur reagime të shumta në opinion, qytetarët në mënyrë ironike komentuan se me kazmë do ta ndërtonin më shpejtë, e kurse sipërmarrësit thonë se kjo do ta ulte fitimin dhe do të rriste shpenzimet, njofton Portalb.mk.

Në momentin e kumtimit të lajmit, qytetarët reaguan në rrjetet sociale ashpër dhe me mosbesim për afatin e gjatë kohor.

“Turp, turp. 5 vjet për 12 kilometra. Me kazmë dhe lopatë ma shpejtë do të bëhej. Kush e dha këtë vendim? Hajna, matrapazë”, tha qytetari S.I.
“Kjo rrugë, ashtu si e njohim ne, në shtetet e perëndimit do të realizohej për maksimum dy vjet, por nuk besojmë se ka nisur, jemi mësuar me rrenat e tyre”, tha një tjetër komentues.
Pastaj kishte edhe nga ata që thonë: “Më mirë mos ta bëni fare, deri atëherë do të udhëtojmë me dronë (fluturake)”, tha një tjetër qytetar.

Pjesëtari i Shoqatës së Biznesmenëve të Zonës Industriale të Vizbegut, Nuhi Aliu vlerësoi se afati prej 54 muajsh për ndërtim të autostradës Shkup – Bllacë është shumë i gjatë, sepse rruga prej kufirit të Bllacës për në Shkup nuk është aq malore sa ka qenë rruga Hani i Elezit – Kaçanik, sepse nuk kemi gryka malore.

“Unë nuk e di pse do të zgjat aq shumë. Këtu nuk ka as 12 kilometra rrugë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një rrugë që është e mbuluar me zona malore, që ka pengesa shumë të mëdha, siç është rruga Hani i Elezit – Kaçanik. Unë mendoj se këtu duhet të bëhen investime aq të gjata, për shkak se terreni është më i përshtatshëm”, tha Aliu.

Drejtori i Odës Ekonomike e Maqedonisë Veri – Perëndimore (OMVP), Drilon Iseni tha se punimet për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë duhet të ishin me dinamikë më të përshpejtuar.

“Pritjet tona ishin që ndërtimi i aksi të zhvillohet me dinamikë shumë më të përshpejtuar. 54 muaj sigurisht që është një kohë shumë e gjatë për biznesin, prandaj kërkesa jonë është që të revidohet plani kohor, të vendohet në projektet prioritete të infrastrukturës dhe ky afat dukshëm të shkurtohet që mos të ketë procese të stërzgjatura siç jemi dëshmitar me akset tjera”, tha Iseni.

Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit/ Foto:REL

Afati 54 mujor – ulje e fitimin, rritje e shpenzimeve për sipërmarrësit

Zgjatja e punimeve sipas sipërmarrësit Aliu do ta ulë fitimin e ndërmarrjeve që gravitojnë në zonën ekonomike të Vizbegut, dhe u shpreh skeptik për nisjen e punimeve të ndërtimit të kësaj autostrade.

“Ne zyrtarisht nuk kemi marrë njoftim se kah do të shkojë autostrada, unë i kam parë disa video, por nuk e di saktë se si do të ndërtohet. Me vite ne kemi kërkuar që sa më shpejtë të bëhet autostrada. Nëse punimet do të vazhdojnë kaq gjatë, absolutisht do të ndikojë shumë në biznesin tonë. Fakti se autostrada do të zgjat rreth 5 vjet, mendoj se është dhënë si informacion se ja erdhi dita ku do të fillojë të ndërtohet, por do të zgjat 5 vjet”, tha i revoltuar Aliu.

Edhe ekonomisti Iseni vlerësoi se ndërtimi i autostradës do ta ngadalësojë qarkullimin e mallrave Maqedoni – Kosovë, gjë e cila sipas tyre do të rrit shpenzimet e ndërmarrjeve.

“Rrjedhimisht kompanitë që kanë qarkullim tregtarë me Kosovën me siguri do të kenë vështirësi në qarkullim ose ngadalësim të lëvizjes dhe sigurisht që ngadalësimi i lëvizjes do të thotë rritje të shpenzimeve dhe pengesë e punës së kompanive”, tha më tej Iseni.

Përndryshe, më 11 janar të 2019-s, në Sekretariatin për Çështje Evropiane edhe zyrtarisht filluan punimet për ndërtimin e projektit prioritet “ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë”. Do të jetë me gjatësi prej 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, kurse do të realizohet në dy faza. U paralajmërua edhe vendosja pikë-pagesave rrugore.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button