“Kickbox dhe Crossfit me Viktor Hoxha” dhe tallja e dyfishtë me gjuhën shqipe

Pjesën e parë të titullit, të kësaj groteske, sa qesharake aq edhe të dhembshme, sa të çuditshme aq edhe të marrë, e lexova të shkruar në një emisioni televiziv. I rendita disa epitete që i shkojnë këtij “shkrimi” dhe përfundimisht them se epiteti i marrë është i vërteti dhe më i sakti. Do të pajtoheni edhe ju me mua. Ndërrojeni kanalin!

Një kanal televiziv në gjuhën maqedonase…  Ia japin me zë plot pezm e vrerë gazetarët maqedonas kundër përdorimit publik të gjuhës shqipe. E ndërrojnë kanalin të shtëpisë. Te një kanal shqiptar gazetarët dhe debatikët shkelin me patkoj të ndryshkur nëpër natyrën skofiare të gjuhës shqipe. Ju lutem, fikeni televizorin derisa punoj, them. Po më nxjerrin prej binarëve të normales. E fikin.

Megjithatë në heshtjen e thellë dëgjohen jehonat e fjalëve të rënda të gazetarëve maqedonas që shkojnë në adresë të gjuhës shqipe. Janë me ngjyrime të forta negative. Si ato fjalë që kanë për detyrë ta bëjnë të qartë urrejtjen ndaj gjuhës sonë. Shovinizmin. Mosdurimin. Fyerje, sharje të cilat përplasen prej një muri në tjetrin. E ke ndjenjën sikur të ndjekin hap pas hapi, si te romani “Pedro Paramo” i Huan Rulfos së madh. Pikërisht siç thotë ky mjeshtër i madh i fjalës: “Dëgjon kërcillima. Të qeshura. Të qeshura të plakura, si të lodhura nga qeshja. Dhe, zëra të hëngërta nga përdorimi. Krejt këto i dëgjon”…
Fjalë vërtetë të lodhura, ironi bajate që mbetën pa përgjigje të cilat do t’i kishin hequr nga rendi i ditës i mbetur një shekull e më shumë. Çudi! U rritëm dhe u plakëm me këto havadize. Kaluan breza dhe askush nuk e kupton se ne nuk do të heqim dorë nga gjuha shqipe. Kjo është punë krejt e thjeshtë pse nuk heqim dorë. Po të heqim dorë nga gjuha jonë, kjo do të thoshte se kemi hequr dorë nga fjala e parë që kemi dëgjuar nga nënat tona, se i hedhim pas shpine, në baltë kujtimet e fëmijërisë, se po pranojmë të mbetemi pa ëndrra, pa muzikën engjëllore të fjalës shqipe që e dëgjojmë kur flasim mes vetes gjuhën e Buzukut, të Naimit, të De Radës, të Aristidh Kolës… Po dolëm jashtë kësaj gjuhe, është njësoj sikur të ikim nga kjo jetë. Kujt i duhemi të vdekur?! Prandaj nuk do të dalim. Nuk do të dalim nga gjuha shqipe sepse gjuha shqipe është jeta jonë, është arka e artë ku i ruajmë kujtimet tona, ku çdo fjalë e dokumenton të kaluarën tonë të hidhur e krenare. Gjuha shqipe është themeli i të ardhmes sonë. Ne nuk kemi ku shkojmë jashtë gjuhës shqipe. Por, nuk mund të lejojmë që të vazhdojnë fyerjet e gazetarëve, të cilingonjve partiakë dhe të të gjithë kallaballëkut me poste e tituj të ndryshëm.

*     *     *

Pas rrëmujës që shkaktojnë fjalët bajate të urrejtjes e të nacionalizmit agresiv që si shigjeta fluturojnë drejt shtatit të gjuhës shqipe e që të mbajnë nën një tension të lartë, pason marria gazetareske shqiptare: “KICKBOX DHE CROSSFIT ME VIKTOR HOXHA”. Nja njëqind herë kam folur e kam shkruar unë, po aq kanë folur e kanë shkruar edhe Daut Dauti dhe Zeqirja Ibrahimi për batakçillëkun dhe papërgjegjësinë e gazetarëve dhe të politikanëve që shkruajnë ose që flasin shqip. Vërejtja e parë serioze e secilit prej nesh ka qenë (dhe besoj se mbetet) se ne derisa e kemi këtë fjalor drejtshkrimor medoemos duhet ta respektojmë pikë për pike. E para, fjalori është i qartë kur thotë se fjalët e huaja do të shkruhen ashtu si i shqiptojmë ne. Pra: kikboks dhe krosfit e kurrsesi ndryshe. Emrat e njerëzve, edhe këta do të shkruehn ashtu si i shqiptojmë e në kllapa lejohet të shkruhen në origjinal. Do të shkruajmë Donald Tramp. Në asnjë mënyrë Donald Trump!

Po ashtu emrat arabë ose semitë që kanë hyrë në gjuhën shqipe do të shkruhen ashtu si i ka shqiptuar populli ynë me shekuj: Muhamet, jo Mohamad, Esat jo Asad, Enver, jo Anvar. Do ta ruajmë shqiptimin tonë, jo atë anglez. Mos të bëhemi anglez. E dyta, gazetarë e politikanë, duhet ta vini gishtin në mendje e t’ju kujtohet se gjuha shqipe ka trajtën e emrit (trajtën e shquar dhe trajtën e pashquar)… Po ka edhe rasat… Edhe trajtat edhe rasat janë ligj i gjuhës sonë. Ligj i shenjtë që e ka bërë populli. Ai është i paprekshëm. Kur e sheh populli të arsyeshme, i ndërron ligjet. Populli mundet. Gazetarë, politikanë dhe hardallë, kushdoqoftë nuk e ka të drejtën të prekë aty. Prandaj do të shkruani dhe do të thoni: “Kikboks dhe krosfit me Viktor Hoxhën” e jo: “Kickbox dhe crossfit me Viktor Hoxha”. Kjo mënyrë është ligj. Kush ju jep juve të drejtën ta shkelni ligjin thua ti se është livadh vakëf gjuha shqipe. Po s’keni faj ju, se gjuha shqipe askund nuk është e mbrojtur me ligj, s’keni faj ju se asnjë institucion nuk ka lektor.
Edhe ata që i ka ende nuk e kanë mësuar veten e tretë njëjës të foljes në mënyrën lidhore. Nuk e dinë se thuhet e shkruhet: të punojë, të këndojë, të vrapojë, të lulëzojë e kurrsesi nuk lejohet të thuhet e të shkruhet: të thuhet e të shkruhet (të punon, të vrapon, të lulëzon! Po përsëri s’keni faj ju se askund në fakultetet e gjuhës shqipe nuk përgatitetn lektorë. Dhe, edhe një herë s’keni faj ju se në Shqipëri askush nuk e respekton Ligjin për gjuhën shqipe, në Kosovë e në Maqedoni nuk ka ligj të tillë. Po të respektohej ky ligj në Shqipëri, askujt nuk do t’i shkonte mendja ta shkelë në mediat e shumta të atjeshme. Dhe, po të kishte ligj të tillë në Kosovë dhe në Maqedoni, as këndej nuk do të na dilnin debatikë e gazetarë bajraktarë e pronarë pa tapi të gjuhës shqipe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button