SHBA ngriti akuza kundër Huawei

Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti një mori akuzash penale kundër gjigantit kinez të telekomit Huawei dhe kryeshefes së tij të financave, Meng Wanzhou.

Akuzat përfshijnë mashtrimin bankar, pengimin e drejtësisë dhe vjedhje të teknologjisë nga kompania amerikane T-Mobile, transmeton REL.

Meng është arrestuar në Kanada muajin e kaluar, me kërkesë të SHBA-së, për, siç është thënë, shmangie të sanksioneve kundër Iranit.

Rasti i ka tensionuar shumë marrëdhëniet midis Kinës, Kanadasë dhe SHBA-së.

Edhe Meng, edhe Huawei i mohojnë akuzat.

Huawei është një nga ofruesit më të mëdhenj të pajisjeve dhe shërbimeve të telekomunikimit në botë.

Huawei e ka kaluar së voni kompaninë Apple për t’u bërë prodhuesi i dytë më i madh i smartfonëve, pas Samsung-ut.

Por, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë shprehur shqetësim se Qeveria e Kinës mund ta përdorë teknologjinë e Huawei-t për t’i zgjeruar kapacitetet e saj të spiunimit, edhe pse firma këmbëngul se nuk ka kontroll qeveritar.

Arrestimi i Meng, vajzës së themeluesit të Huawei-t, e ka zemëruar Kinën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button