Veseli: Të pezullohet taksa për 120 ditë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-në dhe as me Bashkimin Evropian, transmeton REL. 

Veseli i bëri këto komente në një postim në Facebook, pas takimit që zhvilloi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

“Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-në e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnerëve tonë kryesorë strategjikë, si SHBA dhe BE, nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, shkroi Veseli.

Ai e ndërlidhi shkrimin e tij me çështjen e taksës doganore prej 100% që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

“Qëndrimi im është që taksa duhet të mbetet si vendim i drejtë i Republikës së Kosovës, por pezullimi i përkohshëm, me kohëzgjatje prej vetëm 120 ditësh, duhet të ndodhë si masë mirëbesimi ndaj SHBA-së dhe BE-së”, tha Veseli.

Ai përmendi disa arsye për qëndrimin e tij, ku, ndër të tjera, tha se Kosova duhet të jetë e përkushtuar për përfundim të suksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë tarifën doganore.

Veseli i bëri komentet pasi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradianaj, paraqiti një sërë kushtesh për heqjen e tarifës, e cila është në fuqi qysh në nëntor të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button