Maqedonia dhe Kosova nënshkruan marrëveshje për njohje reciproke të patentave të shoferit

Ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe Kosovës, Oliver Spasovski dhe Ekrem Mustafa, sot në Prishtinë e kanë nënshkruar marrëveshjen për njohje reciproke të patentave të shoferit mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe Memorandumin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm, njofton Portalb.mk.

“Sot në këtë takim, kemi rrumbullakuar një kapitull nga procesi gjithëpërfshirës i vendosjes së kornizës ligjore si kusht për bashkëpunim mes dy ministrive. Si rezultat i këtij takimi, kanë dalë nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive për pranim reciprok të patentave të shoferit, akt ndërkombëtar i cili do të jetë në dobi të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës”, tha Spasovski.

Të dy shtetet në mënyrë reciproke do t’i njohin patentat e shoferit të shoferëve që ligjërisht qëndrojnë në territorin e njërit apo tjetrit shtet.

Njëkohësisht, qytetarët që kanë qëndrim të rregulluar do të munden, pa kurrfarë obligimi për kalimin e testimeve teorike dhe praktike, ta ndërrojnë patentën e shoferit të tyre me patentë shoferi të shtetit tjetër.

Gjatë plotësimit të të drejtës, qytetarët do të duhet ta respektojnë procedurën administrative në pajtueshmëri me legjislativet e dy shteteve.

Ndryshe, përpara disa muajve është nënshkruar marrëveshje e njëjtë edhe me Gjermaninë. Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje edhe me Italinë, Spanjën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Në rrjedhë janë procedurat për nënshkrimin e marrëveshjes me Turqinë, Britaninë dhe shtete tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button