Për shkak mungesës së avokatëve, është shtyrë seanca për ankesën e Jankullovsës për dënimin me burg

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska sot u paraqit e vetme në Gjykatën e Apelit ku duhej të mbahet seancë publike për ankesën e saj në lidhje me dënimin prej 6 vjetëve burg që e ka fituar në rastin “Tank ”  të Prokurorisë Speciale Publike. Për shkak mungesës së avokatëve të saj, debati është shtyrë, transmeton Portalb.mk.

Avokati Boro Tasevski nuk mori pjesë për shkak arsyeve personale, ndërsa avokatja Sanja Aleksis ishte e penguar të merr pjesë për shkak sëmundjes.

Seanca publike është shtyrë për më 25 shkurt.

Gjykata e shkallës së dytë mund ta konfirmojë vendimin e shkallës së parë, ta ndryshojë ose ta kthejë lëndën në rigjykim.

Nëse Gjykata e Apelit e konfirmon dënimin, aktvendimi bëhet i plotfuqishëm dhe Jankullovska duhet ta vuajë. Megjithatë, në rast të tillë ish-ministrja mund të kërkojë shtyrje të kryerjes së dënimit deri sa fëmija i saj të mbushë një vjet (deri në qershor të këtij viti) që është e lejuar sipas Ligjit për kryerjen e sanksioneve.

Së bashku me Jankullovsën në këtë rast gjykoheshin edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-ndihmës ministri në MPB, Gjoko Popovski, por për shkak shtatzënisë së rrezikshme, procedura u veçua për Jankullovskën.

Gruevski dhe Popovski tashmë janë të dënuar me vendim fuqiplotë: ish-kryeministri me dy vjet burg, ndërsa ish-ministri në MPB me katër vjet e gjashtë muaj. Popovski ndodhet në burg, ndërsa Gruevski ka ikur në Hungari, ku ka fituar azil politik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button